“Deputetët i zgjedhin si kryetarë çetash”, Ngjela: Berisha, skllav i pushtetit! Opozita është e dehur nga…
Zgjedhjet e 11 Majit po afrojnë dhe avokati Spartak Ngjela bën analizën e tij të përllogaritur edhe në sondazhet e deritanishme të publikuara nga REPORT TV, për të cilat ai shprehet se janë të drejta dhe përshkruajnë realitetin.
Ai nuk e vë në dyshim fitoren e të majtës, e jo për meritë të qeverisë, sesa për dështim të opozitës pa ide, programe dhe me liderë të “pazhvilluar” siç i quan ai. Madje e cilëson si paradoksale që partia më e madhe në vend të kërkojë të fitojë zgjedhjet me liderin e saj të shpallur ‘non grata’ nga SHBA-të.
Kurse për përzgjedhjen e deputetëve në lista për zgjedhje, Ngjela shprehet se “i zgjedhin si kryetarë çetash”.
“Deputetët i zgjedhin si kryetarë çetash, si në mesjetë, nuk dinë, se liderët janë të pazhvilluar, nuk njohin demokracinë liderët e opozitës aktuale. Bëjnë gabime logjike dhe të arsyes jo si antishqiptarë, por të arsyes së kohës, që vjen nga nacionalizmi në demokraci. Liderët punojnë për vete, a nuk punoi Enver Hoxha për veten aq vite. Nuk ishte antishqiptar, por ishte skllav i pushtetit të tij, por ajo e dëmtoi se do ishte figurë e madhe e historisë. Por ajo njihet se është dëshira absolute për pushtet, ajo i çon diktatorët në krime”, shprehet ai.
Analizën e thellon më tej me shpresën se intelektualizmi do marrë pushtetin dhe do krijohet një frymë e re edhe në Shqipëri, ashtu si në Kosovë.
“Tani ne presim që intelektualizmi të marrë pushtetin. Dhe lëvizjet në Kosovë pyesim a do krijojnë frymë në Shqipëri. Të shikojmë a do ketë reaksion zinxhir të ngritjes së intelektit në botën shqiptare. Por janë edhe dy shtete, çfarë do bëhet me këto dy shtete, do ecin në praktikën e UÇK-së dhe krijimit të Kosovës (Maqedonia dhe Mali i Zi). Sado të jetë vonesa, drejt shqiptarizmit do ecin gjërat në të ardhmen”, thotë Ngjela.
Dhe për zgjedhjet e 11 Majit mendimi është i prerë dhe i qartë: Kjo opozitë nuk mund të vijë në pushtet në këtë gjendje!
“Ju i keni sondazhet. Ju lutem, m’i kanë thënë edhe të huajt, shkojnë drejt të majtës dhe Ramës. Dhe është faji i opozitës, jo i këtyre të tjerëve. Po nuk pati intelektualë dhe liderë… I ka 20-30% PD-ja, por s’ka lider. Pse mendoni ju se mund të ketë ndonjëherë kryeministër që është ‘non grata’ në Amerikë?! A do heqë dorë Saliu nga këto? Ai e tha edhe vetë, luftova për veten e jo për partinë. Mori fund, shpalli sëmundjen ai, sëmundja e skllavit të pushtetit. Idetë i sjell opozita, jo pushteti. Opozita këtu nuk them se fle gjumë, por është e dehur. Nga dehen? Edhe ajri i pastër të deh, të çon te pushteti absolut i liderit. Çdo lëvizje politike e opozitës që kërkon pushtet absolut është e djegur”, përfundon avokati mendimin e tij.