
Kompani: Sfida Bajer-Bajern Munih njëjtë si dueli Man. Siti -Liverpull në Angli
Trajneri i Bajern Munihut, Vinsent Kompani e krahasoi duelin aktual të skuadrës së tij me Bajer Leverkuzenin me betejat Mançester Siti-Liverpull në Premier Ligë të viteve të tija kur inkuadrohej me “qytetarët”.
Bajerni udhëton te kampioni në fuqi, Leverkuzen, të shtunën, tetë pikë përpara në Bundesligë dhe në rrugën e duhur për të rifituar titullin e ligës. Bavarezët megjithatë nuk e kanë mposhtur Leverkuzenin në pesë ndeshjet e fundit që nga emërimi i Çabi Alonso si trajner në tetor 2022.
“Jemi në një periudhë ku nuk duhet të mendojmë shumë për kundërshtarin. Ne e dimë se ata mund të mbrojnë thellë, por edhe të bëjnë presion lart. Ne duhet të jemi të përgatitur për të dyja. Ne shpesh kemi bërë presion të lartë, gjë që ka funksionuar mirë. Shpresojmë dhe normalisht që nuk do të ketë ndonjë ndryshim real në skuadër nga ndeshja e fundit për sa i përket kush është në dispozicion dhe kush jo. Lojtarët e lënduar nuk janë larg kthimit në stërvitje”, përfundoi trajneri i rekordmenëve të Gjermanisë, Vinsent Kompani.
Në pesë ndeshjet e fundit Leverkuzeni ndaj Bajernit ka tri fitore dhe dy barazime. Skuadrat janë takuar 101 herë në të gjitha garat. Bajerni ka 60 fitore, Leverkuzeni 22 dhe 19 ndeshje kanë përfunduar me barazim.
Leverkuzenit do t’i mungojë vetëm Jeanuël Belocian, i cili ka një lëndim të rëndë që do ta mbajë jashtë fushës për kohë të gjatë. Bajerni do të jetë pa mbrojtësin Alfonso Dejvis dhe pa portierin Daniel Peretz. Në dyshim për t’u paraqitur është edhe Serzh Gnabri i cili i mungoi gjigantit bavarez në stërvitjen e së premtes. Bavarezët fitoren e fundit ndaj Leverkuzenit e kanë më 30 shtator të vitit 2022.