Probleme të vazhdueshme në krye të sistemit të drejtësisë
Se besimi i qytetarëve në gjyqësor, është i ulët, kjo është shprehur në shumë raste. Qytetarët këtë e shprehin edhe individualisht, por kjo është konstatuar edhe në shumë raporte të organizatave të ndryshme. Ajo që vulosi këtë situatë ishte raporti i fundit i progresit të Komisionit Evropian, në të cilin thuhej “Asnjë përparim nuk është shënuar në sundimin e ligjit. Ka mungesë besimi të gjyqtarëve”. Kritika më të zëshme raporti i KE-së kishte për Këshillin Gjyqësor, si organi më i lartë në gjyqësor që emëron dhe mbikqyr punën e gjyqtarëve. “Ekzistojnë shqetësime serioze për ndikimin e jashtëm të panevojshëm mbi punën e Këshillit Gjyqësor dhe gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe të institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm”, theksohej në raport. Zhvillimet në Këshillin Gjyqsor, çuan çështjet deri në Gjykatën Administrative. Kësisoj, pas shkarkimit të kryetares së Këshillit Gjyqsor Vesna Dameva në mënyrë të paligjshme nga antarët e Këshillit dhe emërimit të një kryetari tjetër, Dameva u ankua në Gjykatën Kushtetuese, pas çka kjo Gjykatë vendosi në favorin e saj, duke e kthyer Damevën përsëri në krye të Këshillit.
Po ashtu pati tentim për shkarkim të kryetares së Supremes, Besa Ademit. Anëtari i Këshillit Gjyqësor Milazim Mustafa, pas deklaratave të Ademit për presion politik në Gykatën Supreme, kishte ngritur iniciativë për ta shkarkuar nën arsyetimin se Ademi me mungesë në seancat e Këshillit tregonte mungesë profesionalizmi dhe respektim të institucioneve. Mirëpo, kjo iniciativë u hedh poshtë.
Ndërkohë ambasadorët e politikanët vazhdonin e jepnin deklarata për zhvillimet në gjyqësor. Ambasadorët duke kritikuar qasjen dhe ndërhyrjen në gjyqësor e veçanërisht në punën e Këshillit Gjyqësor, kurse politikanët duke thënë se ata nuk përzihen në punën e gjyqsorit. Kryeministri Kovaçevski kur u pyet për iniciativën e shkarkimit të kryetares së Gjykatës Supreme, se a ka ndikim politik, tha se nuk i takon të përzihet në pavarësinë e gjyqësorit, megjithatë një koment nuk e la pa e dhënë.
Dimitar Kovaçevski, kryeministër
“Gjyqësori është pushtet i ndarë nga Qeveria dhe ata duhet të sjellin vendimet në mënyrë të pavarur, sipas ligjit dhe sipas Kushtetutës. Nuk shoh arsye për të qenë nën ndonjë ndikim”.
Ndërkaq shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Dejvid Gir, para disa dite e porositi Këshillin Gjyqsor që të respektojnë rekomandimet e BE-së.
Dejvid Gir, euroambasador
“Shpresoj që të gjithë antarët e Këshillit Gjyqsor të hapin faqe të re dhe të mundohen ti realizojnë rekomandimet e vlerësimit të misionit të Komisionit Evropian për kompetencat që i kanë ata”.
E ambasadori i Holandës në Maqedoninë e Veriut, Dirk Jan Kop para ca dite u takua me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe nga ambasada njoftuan Jan Kop ka thënë se ndikimi i panevojshëm politik mbi funksionin e kryetarit të Gjykatës Supreme, që është çështje gjyqësore, është i papranueshëm dhe do të shkaktojë reagim të fortë nga Holanda.
Edhe ambasadorja amerikane Anxhela Ageler muaj më parë kishte dërguar letër tek organet ekzekutive dhe gjyqësore ku kishte shprehur brengën e saj për vendimet e Gjykatës së Apelit që të kthejë në rigjykim lëndë të profileve të larta. Sipas saj, kjo lojë prej ping-pongu duke shëtitur lëndët nga një gjykatë në tjetrën, do ta ulte edhe më tej besimin në gjyqësi.