
“E dinim se kishim një portier që bën diferencën te penalltitë”
Franca përmbysi Kroacinë. Pas humbjes 2-0 në ndeshjen e pare çerekfinale të Ligës së Kombeve, skuadra e Deshamps-it i mundi ballkanasit me të njëjtin rezultat dhe siguroi kalimin në gjysmëfinale falë goditjeve nga pika e penalltisë. Kilian Mbape para mikrofonat e TF1, u shfaq shumë i kënaqur pas ndeshjes.
“U futëm në fushë me idenë se mund të kalonim një mbrëmje të mrekullueshme, ishim të bindur se mund të bëjmë diçka të madhe. Nuk donim t’i linim kroatët ‘të merrnin frymë’, sepse do të na bënin të vraponim. Po gabonim te pasimet finale për gol. Mihael ekzekutoi një goditje dënimi spektakolare te goli i parë, pastaj Ousmane u tregua shumë efikas për 2-0”.
Ylli francez pastaj u ndal te gjuajtjet nga pika e penalltisë dhe lavdëroi paraqitjen e portierit të Milanit, Mainjan.
“E dinim se kishim një portier që bën ndryshimin te penalltitë, prandaj ishim të avantazhuar. E kishim objektiv të padiskutueshëm, ishim të bindur se do ta arrinim kualifikimin në gjysmëfinale. Na duhej një ndeshje e tillë për ta rikthyer publikun nga ana jonë. Donim të krijonim klimën më të armiqësuar të mundshme për kundërshtarët, brenda rregullave. Në Kroaci ndiheshim sikur nuk ishim në shtëpi. Tani shkojmë në ‘Final Four’. Është një titull në lojë, do të përpiqemi ta fitojmë”.