Rezultatet skandaloze të PISA-s, ministrja ia hedh fajin qeverisë së kaluar
Ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska lidhur me rezultatet e dobëta të PISA 2025 ka deklaruar se janë rezultat I reformave të bëra në të kaluarën. Ajo theksoi se qeveria e re e mori drejtimin e sektorit në vitin 2024, ndërsa testimet u zhvilluan vetëm gjashtë muaj më vonë.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Për fat të keq, rezultatet e PISA-s janë përsëri shumë të dobëta, por dua të theksoj se këto janë rezultate të reformave që janë bërë më herët. Ne erdhëm në pushtet në vitin 2024 dhe vetëm gjashtë muaj më pas, në vitin 2025, u zhvilluan këto testime”.
Janevska tha se rezultate më të mira në lexim dhe kuptim ishin shënuar në PISA 2001, ndërsa rezultatet më të larta ishin regjistruar në vitin 2018, gjë që, siç tha ajo , i atribuohej reformës së atëhershme “Cambridge”.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Rezultatet e kësaj reforme, e cila po zbatohet aktualisht, do t’i shohim atëherë kur këta nxënës të mbushin 15 vjeç, që do të thotë diku pas 9-10 vitesh. Për fat të keq, nuk bëhet fjalë vetëm për programet. Do të duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje edhe elementeve të tjera që përbëjnë sistemin arsimor”.
Janevska konsideron se problemi më i madh janë rrjetet sociale dhe përdorimi i pakontrolluar i telefonave. Ajo thotë se përballimi i rezultateve të tilla duhet të bëhet në mënyrë klasike, fëmijët duhet të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë në mënyrën tradicionale, të zhvillojnë aftësitë e tyre motorike dhe mendore, ndërsa mësuesit duhet t’u mësojnë se si ta përdorin teknologjinë në drejtim të të menduarit kritik dhe analizës kritike.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/