
Kasami: Për 3 vjet ulëm borxhin e Komunës për rreth 9 milion euro
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka ndarë me publikun një rezultat të punës së tij gjatë qeverisjes me Tetovën. Fjala është për uljen e borxhit të Komunës për vetëm tre vjet 9 milion euro.
“Ne nuk u fshehëm pas justifikimeve, ne u përballëm me realitetin. Ulëm borxhin e komunës së bashku me institucionet e saj, çerdhe, shkolla dhe ndërmarrje. Me përkushtim dhe transparencë, e ulëm borxhin hap pas hapi, duke treguar se kur ka vullnet dhe përgjegjësi, edhe sfidat më të mëdha mund të mposhten. Tetova nuk do të jetë peng i borxheve të së kaluarës, por një qytet që ecën drejt së ardhmes”, ka shkruar kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ai ka shtuar se kjo nuk është puna e vetme që kanë bërë, por kanë realizuar gjithashtu edhe një sërë projektesh që janë të rëndësishme për qytetarët e Tetovës.
“Puna jonë nuk mbaron këtu. Krahas uljes së borxhit, ne nuk hoqëm dorë nga investimet. Nuk pranuam që zhvillimi i qytetit të mbetej peng i krizës financiare. Ndërtuam, rinovuam dhe modernizuam – nga shkollat ku edukohen fëmijët tanë, te çerdhet ku rriten me dashuri brezat e ardhshëm. Sot, çdo investim flet qartë: Tetova është një shembull se si mund të udhëhiqet me përkushtim dhe dinjitet. Në një kohë kur të tjerët mbajnë fjalime, ne kemi zgjedhur të mbajmë premtime”, ka përfunduar Kasami.