ASK zbulon rrjetin e propagandës ruse në Maqedoninë e Veriut: portalet e klonuara dhe lidhjet proruse në shënjestër
Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) ka njoftuar se po ndërmerr masa për zbulimin dhe pengimin e një rrjeti propagandistik në Maqedoninë e Veriut, i cili, sipas Agjencisë, vepron në funksion të interesave ruse njofton INA.
Më 18 shtator, ASK, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike, ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për lidhje me faktorë të huaj dhe krijimin e një rrjeti propagandistik me disa portale.
Gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar materiale që po i nënshtrohen ekspertizës.
Sipas ASK-së, rrjeti funksiononte përmes portaleve të klonuara me domene maqedonase, përmes të cilave publikoheshin dezinformata, lajme të rreme dhe narrativa të manipuluara. Agjencia vlerëson se këto aktivitete synonin dëmtimin e besimit në institucionet dhe nxitjen e urrejtjes e mosdurimit etnik dhe kombëtar.
Për rastin ekzistojnë dyshime për disa vepra penale, përfshirë nxitjen e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit, zbulimin e sekretit zyrtar dhe përhapjen e materialeve raciste e ksenofobe përmes sistemeve kompjuterike.
ASK njofton gjithashtu se do të vazhdojë aktivitetet kundër rrjeteve të portaleve që, sipas saj, janë të lidhura me struktura politike proruse në rajon dhe që synojnë të ndikojnë në proceset eurointegruese të vendit.
Organizata CIVIL, e cila prej vitesh monitoron ndikimin e huaj dhe dezinformatat, e cilësoi aksionin si konfirmim institucional të një kërcënimi për të cilin ka paralajmëruar prej kohësh.
Njoftimi i ASK-së vjen një ditë para vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup, ku më 2 tetor pritet të zhvillojë takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski./INA/