
Zeqirja Ibrahimi: Edhe BDI, edhe Qeveri – ollmaz, Doktor!
Pas zhvillimeve të fundit brenda koalicionit VLEN dhe paralajmërimit për largimin e Arben Taravarit nga Qeveria, ka reaguar kreu i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi, përmes një statusi që shënon ndarjen përfundimtare nga, siç e quan ai, politika joparimore e “dy karrigeve”.
“Megjithatë, ia VLEN! Politika joparimore e dy karrigeve dhe e qëndrimeve ku nuk merret vesh kush është partneri, kush është aleati e kush është oponenti, tashmë ka perënduar,” deklaroi Ibrahimi.
Ai shtoi se koalicioni VLEN nuk do të tolerojë prani të mjeteve apo ndërmjetësve të BDI-së brenda qeverisë, duke e cilësuar këtë si një infiltrim të “vegëzave ose veglave që janë kapur keq në rrjetin e Oligarkisë së Krimit e Korrupsionit.”
Ibrahimi akuzoi ashpër se tentativa për të shpëtuar politikën e vjetër të Soravisë, edhe kur maskohet me patriotizëm dhe viktimizim “engjëllor”, është një përpjekje e dëshpëruar për të mbrojtur të korruptuarit e sanksionuar nga SHBA.
“Secili që dëshiron ta shpëtojë politikën e Soravisë… më parë mund të digjet e të përmbytet sesa ta realizojë operacionin e shpëtimit të atyre që tashmë janë bërë personazhe të listës së zezë amerikane,” theksoi ai.
Në fund të statusit, Ibrahimi u shpreh me një mesazh të qartë dhe të prerë ndaj Taravarit:
“Edhe BDI, edhe Qeveri – ollmaz, Doktor!”. / ZYRTARE.net