
Kasami me fjalë të mëdha për Azizin: Forca jonë është uniteti, vullneti dhe besimi i palëkundur
Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëri nga krerët e VLEN, në promovimin e shtabit të përbashkët për zgjedhje lokale ka thënë se në krye të shtabit është vendosur Adnan Azizi që sipas Kasamit është mik dhe bashkëpunëtor i palodhur, i cili do të jetë krah në këtë përballje.
Sipas Kasamit, forca e VLEN është është uniteti, vullneti dhe besimi i palëkundur se ndryshimi është i mundur – dhe i domosdoshëm.
“Fryma e VLEN-it, e nisur para një viti me bindjen se shqiptarët meritojnë më shumë, sot është më e fuqishme se kurrë. Nga një thirrje për ndryshim, ajo është shndërruar në një lëvizje që rritet përditë me njerëz të zakonshëm, por me zemër të madhe njerëz që duan ta shohin këtë vend më në këmbë, më të drejtë, më të barabartë”, ka deklaruar Kasami, njofton gjurme.info.
I pari i Besës tha se BDI-ja që sot flet për “bashkim” është po ajo që për dy dekada mbolli përçarje. Mes reshtash, Kasami kishte porosi edhe për Taravarin.
“Ka nga ata që u rritën politikisht mbi kauzën e ndryshimit, por sapo ndryshimi u bë realitet, u trembën prej tij. Në vend që ta mbrojnë, zgjodhën t’i dorëzohen të vjetrës që dikur e luftuan me fjalë dhe sot janë rreshtuar krah për krah me Ali Ahmetin. Jo për të ardhmen e shqiptarëve, por për diçka që vetëm ai e di. Çfarë vetëvrasje politike, të nderuar! Ne nuk kemi ardhur deri këtu për t’u kthyer mbrapa. Ne nuk jemi prej atyre që shiten për mbijetesë politike”, shtoi Kasami./gjurme.info/