
ASH-Taravari për propozimin e Azir Aliu: “Vijat e kuqe” që u shkelën me këpucë pushteti
Në seancën e sotme parlamentare pritet të votohet Azir Aliu si ministër i Shëndetësisë, një emër që nuk kalon pa jehonë për Aleancën për Shqiptarët me kryetar Arben Taravarin.
“Azir Aliu është pikërisht njeriu që këmbëngulte në lidhjen e Aleancës me BDI-në. Ai ishte jo vetëm zëri, por edhe ura e parë dhe kryesore që nisi komunikimet me Ali Ahmetin. Sot, ky person promovohet nga të njëjtët që dje lëshonin kumtesa të vona nate kundër Aleancës për bisedime me BDI-në.
Kemi disa pyetje publike:
-
Për Bilallin dhe Izetin: A kanë rënë në ujë deklaratat e koordinuara kundër Aleancës, kur sot shpërbleni Azir Aliun – nyjën e atyre komunikimeve me BDI-në?
-
Për Fetain: Shumica e posteve të braktisura nga ASH po plotësohen heshturazi nga njerëz të Izet Mexhitit. A lobove më shumë për grupin e tij sesa për interesin e qytetarëve?
-
Dhe një pyetje tjetër për Fetain: Po qarkullojnë zëra se pozita jote në qeveri mund të përdoret si karrem për të joshur ndonjë parti më të vogël drejt shumicës parlamentare. A duhet të përgatitemi të të shohim ambasador?
-
Për VMRO-DPMNE-në “parimore”: Ku shkuan “vijat e kuqe” me BDI-në, për të cilat keni folur me zë të lartë në çdo deklaratë? Sot, po sillni në qeveri persona që kanë qenë urat më të drejtpërdrejta me BDI-në.
Në fund, falënderim i sinqertë për transparencën tuaj me pazaret që po bëni para syve të qytetarëve. Po ndihmoni të forconi Aleancën për Shqiptarët si kurrë më parë. Populli çdo ditë po kupton më mirë pse u larguam nga kjo farsë politike – dhe sa e drejtë ishte ajo zgjedhje.
Tetori është afër. Shihemi atëherë!”, kanë reaguar nga ASH-Taravari.