Mevlan Ademi reagon pas raportimeve për ndryshimin e qëndrimeve: Nuk shpallim fitore me zgjidhje gjysmake
Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore ka reaguar pas publikimit të lajmeve për ndryshimin e qëndrimeve të tij lidhur me zgjidhjen ligjore për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ademi ka akuzuar disa portale dhe, siç i ka quajtur ai, PR-të politike, se po shpërndajnë videon e tij të shkëputur nga konteksti.
Ai ka theksuar se studentët e vlerësojnë çdo hap përpara, por sipas tij, zgjidhja e propozuar nuk është e plotë.
“Patjetër që e vlerësojmë çdo hap përpara. Nga 100% maqedonisht, në 50/50 të Bekim Salit, e tani në 84% të Shasivarit. Por si mund të shpallim fitore të plotë me zgjidhje gjysmake dhe kur edhe këtë pak progres më pas e kundërshton vetë Kryeministri, pavarësisht se çfarë thonë ligji dhe Kushtetuta!”, ka shkruar Ademi.
Ai ka shtuar se studentët do ta konsiderojnë këtë çështje të përfunduar vetëm kur provimi i jurisprudencës të mund të jepet në gjuhën shqipe.
“Do të kisha dashur me gjithë zemër që të festonim një fitore të përbashkët dhe të ju faleminderoj sinqerisht nga zemra, por ajo ditë do të jetë kur studenti shqiptar do ta japë provimin në gjuhën shqipe!”, ka përfunduar Ademi.