
Alarmon Fadil Cana: Shkupi po kthehet në një bombë biologjike, rrezik serioz për shëndetin publik
Drejtori i Spitalit të Sëmundjeve Infektive në Shkup, Dr. Fadil Cana, ka ngritur alarmin për një krizë të mundshme shëndetësore si pasojë e grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet. Në një reagim publik, ai ka theksuar se gjendja aktuale nëpër rrugët e Shkupit përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, sidomos në kushtet e temperaturave të larta që po mbizotërojnë ditëve të fundit, transmeton ZYRTARE.net
“Rrugët e Shkupit janë kthyer në deponi të hapura. Era e rëndë, insektet, brejtësit dhe ndotja po bëhen pjesë e përditshme e jetës së qytetarëve. Kjo nuk është vetëm një çështje e menaxhimit të dobët, por një kërcënim serioz për përhapjen e infeksioneve,” – ka deklaruar Dr. Cana.
Ai theksoi se sëmundjet infektive nuk presin procedura administrative dhe premtime politike, ndërsa vonesat e autoriteteve vetëm sa rrisin mundësinë e shpërthimit të epidemive, sidomos tek grupet më të ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
“Shkupi është në prag të një katastrofe biologjike. Autoritetet lokale duhet të veprojnë menjëherë. Ne kemi nevojë për përgjegjësi dhe veprim konkret – jo propagandë politike,” përfundoi ai.
Reagimi i Dr. Fadil Canës vjen në një kohë kur qytetarët e Shkupit po shprehin gjithnjë e më shumë pakënaqësi për neglizhencën e institucioneve në menaxhimin e mbeturinave dhe mbajtjen e pastërtisë publike./ZYTRTARE.net