
Ibrahimi: BDI-ja hesht për të kaluarën e turpshme
Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj kritikave të vazhdueshme që kanë ardhur nga oponentët politikë, duke renditur një sërë akuzash që, sipas tij, tashmë janë rrëzuar nga realiteti i qeverisjes aktuale.
Fillimisht, Ibrahimi përmendi rastin e shkollës në Çashkë, për të cilën opozita pretendonte se nuk do të ndërtohej. “Së pari akuzonin se nuk bëhet shkolla në Çashkë (si në kohë të tyre), dhe kur ajo u bë, ata heshtin dhe nuk e përmendin më”, shkroi ai.
Ai përmendi gjithashtu korridorin 8, ligjin për gjuhën shqipe, si dhe vendosjen e pikave kufitare “One Stop Shop” në Jazhincë dhe Bllacë, duke akuzuar kundërshtarët politikë për hipokrizi dhe për përhapje të frikës së pabazë.
“Vazhduan të thonë se ka diskriminim ekonomik te shqiptarët, por kur qeveria vendosi që çdo vit mbi 80 milionë euro të ndajë për komunat shqiptare… edhe për këtë heshtën”, theksoi Ibrahimi, duke shtuar se janë ndarë gjithashtu mbi 34 milionë euro për Universitetin “Nënë Tereza”, është rritur paga minimale me 12% dhe janë rritur pensionet me 5,000 denarë.
Ai paralajmëroi se deri në fund të korrikut do të ketë 2,500 punësime dhe avancime të shqiptarëve në administratë, ndërsa kritikoi opozitën se nuk kanë më tema reale për të kundërshtuar.
Në fund të postimit, Ibrahimi theksoi disa çështje të cilat, sipas tij, opozita i shmang qëllimisht: përfshirjen e Artan Grubit dhe Ramiz Merkos në listën e zezë amerikane, pasurimin e familjes Ahmeti me prona në qendër të Shkupit, ndryshimin e Kodit Penal për rikthimin e Gruevskit dhe periudhën e qeverisjes kur, siç tha ai, gratë shqiptare tërhiqeshin zvarrë në burgje. “Ata një gjë nuk e kanë kalkuluar, populli edhe kur nuk ta thotë, nuk ta harron. Jeni libër i lexuar dhe çkado që të thoni, kot e keni”, përfundoi Ibrahimi.