
Kasami nga Tetova: Parandalimi është akt morali, jo vetëm mekanizëm ligjor
Kryetari i Tetovës dhe njëherit një nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, ka theksuar rëndësinë e vetëdijes kolektive dhe bashkëpunimit mes institucioneve, qytetarëve dhe shoqërisë civile në parandalimin e fenomeneve negative në komunitet.
“Në Tetovë, sot nuk zhvilluam thjesht një punëtori, por ngritëm një pasqyrë ku komuniteti mund të shohë veten përpara se të ndodhë e keqja”, ka deklaruar Kasami në një postim publik.
Ai ka bërë të ditur se nisma është pjesë e projektit “SMART Ballkan – Shoqëria Civile për një Shoqëri të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor”, e cila zbatohet nga organizata të njohura rajonale dhe mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
“Kjo nuk është vetëm financim, është vetëdije që vjen nga larg, për të na zgjuar nga afër”, thekson Kasami, duke shtuar se takimi nuk kishte për qëllim formalitetin, por ndërtimin e një fryme të re përgjegjësie.
“Sot, institucionet, qytetarët dhe shoqëria civile nuk u takuan për të bërë fotografi, por për të kuptuar se parandalimi është akt morali, jo vetëm mekanizëm ligjor”, shkruan ai.
Në përfundim, Kasami thekson se siguria sociale nuk është vetëm kamera në rrugë, por sytë e hapur të një komuniteti që nuk do të vonohet më. Ai apelon se “Tetova që duam nuk ndërtohet me raportime mujore, por me bashkëpunim të vërtetë, guxim për të parë problemet në sy dhe përfshirje që nuk mbaron kur mbyllet punëtoria”.