
Policia ka identifikuar personat që u rrahën te qarkorja e Shkupit
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se janë identifikuar personat që u përfshinë në përleshje fizike te qarkorja e Shkupit, respektivisht në afërsi të hyrjes në zonën industriale në Vizbeg, përcjell TV21. Sipas Policisë, motivi i rrahjes ka qenë mosmarrëveshja në trafik, ndërsa ndaj personave të njëjtë tashmë janë parashtruar kallëzime përkatëse.
“Më 20.06.2025, rreth orës 14:00 në SPB Shkup është raportuar se në rrugën “Magjistralja e Adriatikut”, te nyja për Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake në trafik, është prishur rendi dhe qetësia publike pas një përleshjeje fizike mes M.V. (32), Sh.V. (46), të dy nga fshati Dobrinë, rrethina e Shkupit dhe M.V. (25) nga Shkupi nga njëra anë, dhe R.M. (19) dhe A.M. (25), të dy nga Shkupi, nga ana tjetër. Pas dokumentimit të rastit, ndaj personave janë ngritur kallëzimet përkatëse”, thonë nga MPB./tv21.tv