
ASH: Izet Mexhiti s’mund t’i ikë përgjegjësisë për manipulimin e regjistrimit të vitit 2021
Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli si antikushtetuese ndarjen e popullatës në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë” në regjistrimin e popullsisë të vitit 2021, Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të ish-zyrtarit të lartë të BDI-së, Izet Mexhiti, për të shmangur përgjegjësinë politike për një proces që vetë e ka mbështetur dhe votuar.
Në një reagim zyrtar për media, Aleanca për Shqiptarët e konsideron Mexhitin si një nga bashkëautorët e drejtpërdrejtë të manipulimit statistikor, që sipas opozitës shqiptare, ka përjashtuar në mënyrë të qëllimshme qindra mijëra shqiptarë të diasporës nga përfaqësimi institucional.
“Për ironi të fatit, Izet Mexhiti, që në vitin 2021 ishte nënkryetar i BDI-së, sot mundohet ta paraqesë veten si politikan i pastër dhe i padëmtuar, gati sikur ka zbritur para një viti nga qielli,” – thuhet në deklaratë.
ASh nënvizon se Mexhiti ka qenë pjesë aktive e çdo vendimi që ka dëmtuar shqiptarët, qoftë si kryetar komune, deputet apo pjesë e lidershipit të BDI-së, dhe i kujton publikut se ai ka dhënë mbështetje direkte për Ligjin e Regjistrimit, që më vonë u përdor për të fshirë nga statistikat zyrtare pjesën më vitale të diasporës shqiptare.
“Sot, me dosje të trashë për kriminalitet urbanistik, të përmendura edhe nga vetë kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, z. Mexhiti bën rolin e politikanit të çiltër dhe të reformuar. Por publiku e di mirë se ‘Grupi i Zjarrit’ ishte vetëm një rikoshet politik, jo një projekt reformues,” – theksohet më tej.
Veçanërisht problematike, sipas Aleancës për Shqiptarët, është harmonizimi i retorikës së Mexhitit me qëndrimet e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili si vendim të parë ka nënshkruar përjashtimin e diasporës shqiptare nga llogaritjet zyrtare të popullsisë.
“Kjo është goditja më e rëndë për përfaqësimin real të shqiptarëve që nga pavarësia e shtetit. Shqiptarët nuk janë 24.3%. Ata janë mbi 29.5%, dhe këtë e dinë të gjithë.”
Në deklaratë, ASh akuzon Mexhitin dhe bashkëpunëtorët e tij si figura politike të konsumuara, pa peshë reale në vendimmarrjen aktuale:
“Ju dhe grupi juaj sot nuk keni as fuqi politike, as legjitimitet popullor. Kjo është arsyeja pse partnerët tuaj maqedonas në qeveri nuk ju konsiderojnë si faktor relevant, por vetëm si dekor për të mbuluar agjenda që dëmtojnë shqiptarët në heshtje.”
Aleanca për Shqiptarët bën thirrje për maturim politik dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se çështja e regjistrimit nuk është një histori e mbyllur, por një betejë e hapur për përfaqësim të drejtë dhe real të shqiptarëve për dekadat në vijim.
“Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë të vërtetë do të ketë përballë forcat e vërteta politike shqiptare, jo figurat që i kanë shërbyer çdo pushteti, veç interesit të shqiptarëve,” – përfundon deklarata.