
Izet Mexhiti nga Struga: U ngrit shpresa, Struga u zgjua për ndryshim!
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar pas hapjes zyrtare të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN në Strugë, duke theksuar se qyteti ka folur qartë për ndryshimin e shumëpritur.
“Në mbrëmje u ngrit shpresa, Struga u zgjua për ndryshim,” shkruan Mexhiti në një status të shpërndarë në rrjetet sociale.
Ai nënvizoi atmosferën e entuziazmit dhe pjesëmarrjen masive të qytetarëve në zemër të qytetit, ku u hap shtabi i VLEN-it si pikënisje e organizimit për zgjedhjet lokale. Mexhiti tha se qindra struganë të mbledhur, me energji të jashtëzakonshme dhe besim të palëkundur, janë dëshmia më e mirë e frymës që po rritet në mbështetje të ndryshimit.
Shef i shtabit zgjedhor në Strugë do të jetë Albrim Hoxha, për të cilin Mexhiti u shpreh si një djalë i përkushtuar, i guximshëm dhe me rrënjë të thella në qytet. “Nën drejtimin e tij, ky shtab do të jetë zemra e fitores,” shkruan ai.
Në reagimim e tij Mexhiti thekson se qytetarët e Strugës nuk kërkojnë më premtime boshe, por qeverisje me dinjitet, drejtësi dhe punë konkrete.
Ai konfirmoi edhe mbështetjen e VLEN-it për kandidaturën e pavarur të biznesmenit Mendi Qyra, duke e vlerësuar atë si një emër që mishëron suksesin, integritetin dhe vizionin për një Strugë më të zhvilluar.