
Tym i zi mbulon qiellin mbi Shkup – shpërthen zjarr i ri në deponinë e Vizbegut
AA
Tym i dendur i zi po përhapet drejt Shkupit pasi dje shpërtheu një zjarr i ri në deponinë e Vizbegut, e cila, për shkak të erës së fortë, po digjet me shpejtësi. Zjarri ka shkaktuar shqetësim tek qytetarët e Shkupit, të cilët në numër të madh kanë dërguar video dhe fotografi nga zona të ndryshme të qytetit, ku shihej qartë tymi i dendur në qiell raporton INA
Qytetarët nga pjesa më e madhe e Shkupit – nga Qendra, Karposhi, Gjorçe Petrovi e Butelli – janë të shqetësuar për shkak të erës së rëndë dhe ajrit të ndotur. Reja e tymit që ngrihet nga drejtimi i Vizbegut mund të shihet edhe nga largësi të mëdha.
Në terren janë dërguar katër automjete zjarrfikëse, të cilat së bashku me dy automjete të NP “Higjiena Komunale” kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit – informoi komandanti i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve në Shkup, Zvonko Tomeski.
Sipas informacioneve fillestare, zjarri ka shpërthyer herët në mëngjes në një deponi të egër pranë Vizbegut. Era e fortë po e përkeqëson situatën, pasi flakët po përhapen me shpejtësi dhe po përfshijnë zona urbane në rrethinën e Shkupit.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të shmangin lëvizjet pranë vendit të zjarrit dhe, nëse është e mundur, të qëndrojnë brenda ambienteve të mbyllura me dritare të mbyllura, derisa të merren masat për menaxhimin e situatës.(INA)