
Aliu: Punësimi i 155 motrave medicinale në Tetovë është i finalizuar, ASH sërish i reagon
AA
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, sot këmbënguli se është zgjidhur problemi me punësimin e përhershëm të 155 motrave medicinale dhe personeli mjekësor në Spitalin e Tetovës.
“Sot bashkëbiseduam me 155 tashmë të punësuar full time në Spitalin e Tetovës. Jam i lumtur që takohemi sërish me zgjidhjen e problemit që e kishim. Një pjesë e motrave kanë punuar për 2 vite edhe pa rroga. Nuk është e vërtetë që Fondi ka dhënë mendim negativ. Nëse ministri del në konferencë dhe thotë se e ka zgjidhur problemin, kjo nënkuptohet. Jam institucion para juve dhe jam njeri me kredibilitet dhe them se 155 personat i kanë kaluar të gjitha filtrat dhe ka ngelur vetëm testimi administrativ i tyre. Të mbyllet një proces dhe ky të zhbëhet me një lajm fake, është jonjerëzore. Këto persona 155 që janë pas meje, të abuzosh me ato, kur e kanë të zgjidhur problemin, është jonjerëzore”, tha mes tjerash Aliu.
ASH: Ministri digjital vazhdon të mashtrojë punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës
Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili tha se do ta zgjidh çështjen e punësimit të personelit mjekësor në Spitalin e Tetovës.
Nga ASH thonë se “ministri Aliu i mashtroi motrat medicinale, duke u dhënë shpresë për kontrata të përhershme – një premtim që e di shumë mirë se nuk mund ta përmbushë”.
“Nuk ka kontrata të përhershme pa konkurs publik! Nuk ka buxhet të ndarë në rebalansin aktual për punësime të reja! Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka konfirmuar me shkrim se nuk ka mjete për këto punësime!”.
“E pyesim publikisht ministrin: A është hartuar ndonjë plan për punësim nga spitali për këto 155 punësime? A ka pëlqim nga Ministria e Administratës për këtë proces dhe a është aprovuar ndonjë plan për punësim? A ka miratim nga Ministria e Financave për fondet? A ka aprovim nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për punësime të reja? Për më tepër, ekziston dokument zyrtar i pranuar nga Ministria e Shëndetësisë me numër 106807/4, më datë 15.07.2025, ku konfirmohet se kërkesa për keto punësim është refuzuar”.
“Në sektorin publik, për çdo punësim apo transformim të vendit të punës, duhen ndjekur procedura të qarta ligjore, sipas Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, neni 34 (grupi 3, nëngrupi 1), si dhe nenet 41 dhe 44 të të njëjtit ligj. Po ashtu, është i domosdoshëm rebalansi i buxhetit – gjë që aktualisht nuk ekziston”, thonë nga ASH e Taravarit.