
Kanadaja dhe Malta do ta njohin Palestinën
AA
Kanadaja dhe Malta njoftuan se planifikojnë të njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, duke iu bashkuar Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat njoftuan më parë se do ta bënin këtë.
Lëvizja për të njohur Palestinën si shtet vjen mes një shtytjeje të përtërirë në Evropë për të ushtruar presion mbi Izraelin që të ndalojë luftën e tij shkatërruese në Gaza, e cila ka çuar në uri të përhapur në Rrip, si dhe për të ndaluar zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
“Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gaza është i patolerueshëm”, tha kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, pas një takimi të kabinetit, duke theksuar nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
“Kanadaja ka qenë prej kohësh e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete. Një shtet palestinez i pavarur, i qëndrueshëm dhe sovran që jeton krah për krah me shtetin e Izraelit në paqe dhe siguri”, shtoi ai.
Në këmbim, Kanadaja dëshiron të shohë “reforma shumë të nevojshme” në qeverisjen e Autoritetit Palestinez, duke përfshirë zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në vitin 2026 me përjashtimin e grupit militant Hamas.
“Kanadaja do të shtojë përpjekjet e saj në mbështetjen e qeverisjes së fortë demokratike në Palestinë”, përfundoi Carney.
Bëhet e ditur se Malta ka mbështetur prej kohësh sovranitetin palestinez dhe vetëvendosjen për qytetarët e saj, shkruan euronews.
Christopher Cutajar, sekretari i përhershëm në Ministrinë e Jashtme të Maltës, e bëri njoftimin më parë në një konferencë të Kombeve të Bashkuara mbi një zgjidhje me dy shtete.
“Si aktorë përgjegjës, ne kemi detyrë të punojmë për të përkthyer konceptin e një zgjidhjeje me dy shtete nga teoria në praktikë”, tha Cutajar.
Ndryshe, kjo vjen një ditë pasi kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar do ta njihte zyrtarisht shtetin e Palestinës para takimit vjetor të liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme me 193 anëtarë në shtator.
Presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi vendimin e vendit të tij për të zyrtarizuar këtë veprim në shtator një javë më parë, gjë që do ta bënte Francën vendin e parë të G7 dhe anëtarin e parë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që njeh Palestinën.
Raportohet se 147 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë dhjetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, tashmë e njohin shtetin e Palestinës.
Akti i njohjes përfshin njohjen e sovranitetit dhe pavarësisë së Palestinës brenda kufijve të saj para luftës në Lindjen e Mesme të vitit 1967.
Kjo përfshin Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor.
Izraeli kundërshtoi një zgjidhje me dy shtete dhe bojkotoi konferencën e OKB-së të mbajtur në New York City, së bashku me aleatin e saj më të ngushtë, SHBA-në.