
Edhe VLEN dënon ashpër gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet fyese ndaj shqiptarëve
Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër pas koreve fyese dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, të dëgjuara gjatë ndeshjes së parakualifikimeve për Kupën e Botës në Basketboll 2027, mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës.
“Ajo që pamë dhe dëgjuam në palestrën sportive ishte një pasqyrë shqetësuese e një sjelljeje të papranueshme që nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve të këtij vendi, por që nuk duhet as të injorohet, as të tolerohet,” thuhet në reagimin e VLEN.
Koalicioni thekson se sporti nuk duhet të shndërrohet në një platformë për urrejtje apo përçarje.
“Sporti duhet të jetë urë lidhëse mes njerëzve, vend i garës së ndershme dhe i respektit të ndërsjellë, dhe jo platformë për përhapjen e urrejtjes apo përçarjes,” vijon deklarata.
VLEN kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe federatat përkatëse.
“VLEN u bën thirrje institucioneve kompetente, federatave sportive dhe organeve shtetërore që të veprojnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masa konkrete ndaj çdo akti që cenon bashkëjetesën dhe multietnicitetin.”
Në fund, VLEN rithekson qëndrimin e saj të palëkundur kundër çdo forme të diskriminimit, dhe rolin e pandashëm të shqiptarëve në shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut.
“Shqiptarët janë shtetformues, kontribuues të përhershëm në zhvillimin e shtetit, dhe askush nuk ka të drejtë t’i ofendojë apo t’i përjashtojë,” përfundon reagimi.
Lajmi në Flaka mbi provokimin skandaloz mbi shqiptarët në prani të krerëve të shtetit, solli reagime të shumta në opinion. Asnjë distancim apo kërkimfalje nga kreu i qeverisë mbi këtë ngjarje, dhe asnjë lëvizje nga MPB për zbulimin e auturëve të këtij akti skandaloz. Flaka
The post Edhe VLEN dënon ashpër gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet fyese ndaj shqiptarëve appeared first on Flaka, në çdo lajm… .