
Rasti Kumanovës, reagon si asnjëherë më parë Ali Ahmeti
Pas thirrjeve të urrejtjes etnike në Kumanovë dhe klimës politike gjithnjë e më të tensionuar, për çka rapoortoi Flaka e para, ka reaguar edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, duke e cilësuar situatën si pjesë të një fushate sistematike kundër barazisë dhe vlerave të ndërtuara ndër vite.
“E kuptoj dhe e ndaj mllefin tuaj miq, jo vetëm nga klithmat e urrejtjes në Kumanovë, por edhe nga fushata e përditshme sistematike kundër barazisë dhe çdo gjë që arritëm bashkë me shumë mund ndër vite,” shprehet Ahmeti në një reagim të publikuar në rrjetet sociale.
Lideri i BDI-së paralajmëron një përgjigje të fuqishme nga populli në zgjedhjet e tetorit, duke bërë thirrje për një refuzim masiv të përçmimit institucional dhe politik ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Tetori miq, në tetor vjen dita juaj për t’i thënë njëzëri dhe masivisht mjaft më:
– Përbuzjes
– Ofendimeve
– Nënçmimit
– Vazalitetit
– Përkuljes
– Shumëzimit me zero
– Përndjekjeve
– Anulimit të Marrëveshjes së Ohrit, gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, Badinterit dhe Balanserit
– Largimit nga Bashkimi Europian dhe afrimit me Rusinë e Serbinë,” thekson Ahmeti.
Duke e lidhur mesazhin e tij me zgjedhjet e ardhshme, ai shprehet se “më 19 tetor populli do të flasë shurdhueshëm zëshëm kundër eksperimenteve të vazalitetit.”
“Po ndodh populli… bashkë!” përfundon mesazhin e tij lideri i BDI-së, duke mobilizuar mbështetësit për një përballje të vendosur politike. Flaka
The post Rasti Kumanovës, reagon si asnjëherë më parë Ali Ahmeti appeared first on Flaka, në çdo lajm… .