
“Mos vononi ndëshkimin, siç vonuat reagimin!” – Çipa me kritika të forta ndaj Mickoskit
Gazetari dhe analisti i njohur Aleksandër Çipa ka reaguar në lidhje me deklaratën e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, në Kumanovë.
“Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, zoti Hristijan Mickoski ka reflektuar me vonesë për të dënuar ashpër thirrjet raciste dhe ultranacionaliste të tifozave maqedonas dhe të ndërkallur të tjerë, në atë turmë tifozash në Kumanovë,” – thekson Çipa në reagimin e tij publik.
Ai kritikon sidomos përdorimin nga Mickoski të termit “ksenofobi” për të përshkruar atë që ndodhi.
“Në fakt, duke ‘dënuar ashpër’ atë kor, të cilin nuk e dëgjoi (?), ndërsa gjendej vetë në stadiumin e lojërave me dorë, zoti Mickoski kalon në një gabim të dytë, duke dashur të cilësojë britmat e tyre antishqiptare si ksenofobi,” – shkruan Çipa.
Ai e cilëson këtë si një gabim konceptual dhe politik:
“Zoti kryeministër i një vendi fqinj me tonin! Thirrjet antishqiptare në vendin ku u gjendët dhe ju dhe disa shtetarë të tjerë të lartë të republikës suaj, së pari: janë ulërima antiligjore të disa shtetasve tuaj ndaj shumë shtetasve tuaj – dhe nuk janë ksenofobi. Ato britma janë racizëm i plotë, ultranacionalizëm i vjetëruar dhe antishqiptarizëm patologjik.”
Çipa e vë theksin te fakti se shqiptarët nuk janë “të huaj” në Maqedoninë e Veriut:
“Shqiptarët janë bashkështetas me të drejta të plota dhe përcaktues të ekzistencës së republikës suaj. Ksenofobia në vendin tënd mund të ketë të bëjë me kombësi të tjera, por kurrsesi me shqiptarët, se ata janë dhe do të jenë zot në vend të tyre!”
Ai përfundon me një thirrje të qartë ndaj institucioneve:
“Të pretendosh për ksenofobi të shtetasve të tu ndaj shtetasve të tjerë të tu, është paradoks i një zotnie që i trajton konceptet e përgjithshme si për një vend tjetër. Ajo që ndodhi në ndeshjen sportive ku u gjendët ju, përbën qartësisht ‘lëndë hetimi dhe ndëshkueshmërie pa dallim’. Mos vononi ndëshkueshmërinë sikundër vonuat dëgjimin dhe reagimin!” Flaka
The post “Mos vononi ndëshkimin, siç vonuat reagimin!” – Çipa me kritika të forta ndaj Mickoskit appeared first on Flaka, në çdo lajm… .