
Ahmeti, Taravari dhe Destani në tribuna për të përkrahur Shkëndijën ndaj Qarabagut
Shkëndija e Tetovës po shkruan histori këtë mbrëmje, duke luajtur për herë të parë në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku përballë ka ekipin azerbajxhanas Qarabag. Ndeshja po zhvillohet në stadiumin kombëtar “Toshe Proeski” në Shkup, nën praninë e mijëra tifozëve dhe personaliteteve të larta politike.
Në tribunat e stadiumit janë të pranishëm drejtuesit e Aleancës Kombëtare për Integrim, përfshirë liderin e BDI-së Ali Ahmeti, liderin e ASH-së Arben Taravari, sekretarin gjeneral të BDI-së Faton Ahmeti dhe deputetin Halil Snopçe. Ata po e ndjekin ndeshjen në shoqërinë e presidentit të klubit Shkëndija, z. Lazim Destani.
Ky është një moment i veçantë jo vetëm për klubin, por edhe për sportin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pasi përballja me një ekip të kalibrit të Qarabagut në një fazë kaq të avancuar të kompeticioneve europiane, është dëshmi e rritjes dhe ambicieve të Shkëndijës në arenën ndërkombëtare.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Azerbajxhan, ku do të përcaktohet skuadra që do të kalojë në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve. Flaka
The post Ahmeti, Taravari dhe Destani në tribuna për të përkrahur Shkëndijën ndaj Qarabagut appeared first on Flaka, në çdo lajm… .