
BDI: Djali i deputetes Koxhaxhiku punësohet në M-NAV – Bilansi i punësimeve 14 maqedonas, 2 shqiptarë!
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën më të thellë për praktikat diskriminuese dhe selektive në punësimet e fundit në Agjencinë për Navigacionin Ajror (M-NAV), ku nga gjithsej 16 vende pune të shpallura në dy konkurset e fundit, vetëm 2 janë zënë nga shqiptarë, një prej tyre djali i deputetes së VLEN-it, Merita Kollçi – Koxhaxhiku.
Këto të dhëna tronditëse dëshmojnë edhe njëherë realitetin e hidhur të diskriminimit të vazhdueshëm institucional ndaj shqiptarëve, i cili po vazhdon me të njëjtin intensitet pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re. Për më tepër, raportimet e Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit për ndërhyrje politike dhe bllokimin e mbikëqyrjes sindikale gjatë intervistave, konfirmojnë se proceset e punësimit jo vetëm që nuk janë meritore, por shërbejnë si mjet për shpërblime partiake dhe nepotizëm. I ngjajshëm është rasti me punësimin e nipit të Zeqirija Ibrahimit në ushtri, ku në atë konkurs ishte shqiptari i vetëm i pranuar nga gjithsej 74 punësime.
Është e papranueshme që në një institucion shtetëror të financuar nga taksat e qytetarëve, shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Ky rast nuk është i izoluar, por pjesë e një zinxhiri vendimesh diskriminuese që po ndodhin në administratën publike dhe shtetërore, duke i mohuar shqiptarëve përfaqësimin e barabartë që u garantohet me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit.
BDI i bën thirrje Qeverisë dhe drejtuesve të M-NAV që të anulojnë menjëherë procedurat e kontestuara dhe të sigurojnë transparencë e përfaqësim të drejtë në çdo proces punësimi. Mosreagimi ndaj këtyre padrejtësive do të jetë një akt i hapur bashkëpunimi me diskriminimin.
Ne mbetemi të vendosur të mbrojmë të drejtën e çdo qytetari për qasje të barabartë në institucionet e shtetit dhe nuk do të lejojmë që pushteti i ri ta kthejë vendin mbrapa, në kohën kur shqiptarët trajtoheshin si të padukshëm në institucione. Flaka
The post BDI: Djali i deputetes Koxhaxhiku punësohet në M-NAV – Bilansi i punësimeve 14 maqedonas, 2 shqiptarë! appeared first on Flaka, në çdo lajm… .