
Premtuan 2.500 punësime, mburren me 33 kontrata, ASH: VLEN shpërblen familjarët, jo shqiptarët
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj praktikave të punësimeve në administratën publike, duke akuzuar partnerët qeverisës VLEN dhe VMRO-DPMNE për favorizim politik dhe nepotizëm.
“VLEN, për të mbuluar dështimet e saj, po paraqet si ‘punësime të rregullta’ punësimet parazgjedhore manipuluese me kontrata afatshkurtra. Ndërkohë, partneri i saj qeverisës, VMRO-DPMNE, po e mbush administratën me militantë partiakë përmes vendimeve për punë të përhershme,” thuhet në reagimin e kësaj partie.
Sipas Aleancës për Shqiptarët, rastet e nepotizmit janë të shumta dhe të dokumentuara.
“Djali i deputetes Merita Kollçi-Koxhaxhiku është punësuar në M-NAV, sikurse nipi i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i cili është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Akademinë Ushtarake ‘Gjeneral Mihajlo Apostolski’ në Shkup,” theksohet në deklaratë.
Ata akuzojnë se ky është modeli i udhëheqjes së VLEN-it.
“Marrja e posteve të rëndësishme në institucione vetëm për familjarët e tyre është shpërblim nga VMRO-DPMNE për lojalitetin politik,” vijon reagimi.
Aleanca për Shqiptarët kujton premtimin e VLEN për 2.500 punësime për shqiptarët dhe e krahason me shifrat aktuale.
“Sot, reklamohet vetëm me 33 punësime me kontrata afatshkurtra, ndërsa VMRO-DPMNE, vetëm brenda një jave, punësoi 177 militantë partiakë – përfshirë edhe 14 punësimet e fundit në M-NAV,” theksojnë nga kjo parti.
Në fund, Aleanca për Shqiptarët e cilëson këtë praktikë “të turpshme” dhe kërkon reforma të bazuara në meritokraci.
“Vendet e punës në institucionet shtetërore duhet t’u takojnë qytetarëve mbi bazën e meritës, e jo si shpërblim për shërbime politike dhe puthadorë të Hristijan Mickoskit,” përfundon reagimi. Flaka
The post Premtuan 2.500 punësime, mburren me 33 kontrata, ASH: VLEN shpërblen familjarët, jo shqiptarët appeared first on Flaka, në çdo lajm… .