
A do të mbahet takimi mes kandidatëve për kryetar të Gostivarit? Flaka e ka përgjigjen!
Visar Ademi, kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, u ka bërë ftesë rivalëve të tij, Valbon Limanit dhe Sebadin Dautit, për një kafe të përbashkët para fillimit të fushatës.
Në letrën e hapur, Ademi ka theksuar se një takim i tillë do të ishte shembull i kulturës demokratike dhe respektit reciprok mes kandidatëve, duke u shërbyer si mesazh pozitiv qytetarëve të Gostivarit.
Nga Shtabi Zgjedhor i Valbon Limanit në një prononcim të kërkuar nga Flaka thonë që pasi të përfundojnë të gjitha procedurat për zyrtarizimin e kandidaturave, do të jemi të gatshëm për të zhvilluar një takim me të gjithë, përfshirë dhe atë në ditën e nënshkrimit të Kodit për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, ndërsa Dauti shkon më tej duke propozuar debat publik me të gjithë kandidatët.
“Fillimisht, shprehim falënderimet tona dhe vlerësim për ftesën dhe qasjen qytetare të treguar nga Visari gjatë kësaj periudhe parafushate. Iniciativa e tij është vlerësuar sinqerisht nga ana jonë. Megjithatë, duam të theksojmë se është ende herët, pasi procesi i zyrtarizimit të kandidaturave akoma nuk ka përfunduar. Siç dihet, ekzistojnë procedura të caktuara që duhet të ndiqen deri në përfundimin e zyrtarizimit të kandidaturave”, thonë nga shtabi Limanit.
Nga atje shprehen që ka zëra që sugjerojnë se disa kandidatë të tjerë mund të kenë shprehur interesin e tyre për të kandiduar, por kjo ngelet të shihet deri në momentin e zyrtarizimit nga institucionet përkatëse.
“Do të ishte e padrejtë të privohen nga e drejta e një takimi edhe kandidatët e tjerë të mundshëm, përfshirë edhe ata të pavarur. Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat për zyrtarizimin e kandidaturave, do të jemi të gatshëm për të zhvilluar një takim me të gjithë, përfshirë dhe atë në ditën e nënshkrimit të Kodit për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, thonë nga Shtabi Zgjedhor i Kryetarit Valbon Limani.
Nga ana tjetër, Sebadin Dauti e ka falënderuar Ademin për ftesën, por ka propozuar që një ballafaqim mes kandidatëve të zhvillohet në formën e një debati publik, të organizuar nga media të pavarura, me moderim profesional, ku të gjithë të kenë hapësirë të barabartë për të paraqitur programet e tyre.
“Meqë kandidatura ime u zyrtarizua vetëm mbrëmë, mendoj se formati më i përshtatshëm për një takim të tillë do të ishte një debat publik, i organizuar nga media të pavarura, me moderim profesional, ku të gjithë kandidatët të kemi hapësirë të barabartë për të paraqitur vizionin dhe programin tonë para qytetarëve”, shprehet Dauti.
Dauti ka shtuar se nuk i shmanget asnjë forme debati dhe se është i hapur për një kafe joformale në ditët në vijim. Flaka
The post A do të mbahet takimi mes kandidatëve për kryetar të Gostivarit? Flaka e ka përgjigjen! appeared first on Flaka, në çdo lajm… .