
Osmani: Qeveria po e lejon në heshtje depërtimin e “Botës Serbe” në ekonomi
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati i Beslidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka paralajmëruar për rritjen e ndikimit të konceptit “Bota Serbe” në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ky proces tashmë po merr formë konkrete.
Në një reagim publik, Osmani ka kujtuar se pas hyrjes së Telekomit Serb në tregun vendas, tani është në fazë finale edhe depërtimi i kapitalit serb në sektorin bankar. Sipas tij, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut është në prag të miratimit të marrëveshjes përmes së cilës “Alta Bank” – një operator financiar serb – do të marrë kontrollin e aksioneve të “Stopanska Banka AD Bitola”.
“Pronari i kësaj banke serbe, biznesmeni kontrovers Davor Macura, ka lidhje të ngushta me Milan Radojçiç, organizatorin e aktit terrorist në Banjskë të Kosovës,” ka theksuar Osmani, përcjell PressOnline.al
Ai ka akuzuar qeverinë se po e lejon në heshtje këtë depërtim, duke thënë se “Bota Serbe” po shndërrohet në sinonim të saj.
The post Osmani: Qeveria po e lejon në heshtje depërtimin e “Botës Serbe” në ekonomi appeared first on Flaka, në çdo lajm… .