
Mjedis i pastër – Komunitet i shëndetshëm; Infrastrukturë moderne – Zhvillim i qëndrueshëm
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka prezantuar sot Pikën 5 të Platformës Kombëtare, e cila fokusohet në mbrojtjen e mjedisit, ekologjinë dhe infrastrukturën moderne në komunat shqiptare.
“Pika e pestë e platformës sonë kombëtare ka në qendër mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne në të gjitha komunat shqiptare,” theksoi Taravari.
Ai u zotua për pastrimin e deponive ilegale, vendosjen e sistemit të riciklimit, mbrojtjen e ujërave dhe burimeve natyrore, si dhe nxitjen e përdorimit të energjive të ripërtëritshme.
Në pjesën e infrastrukturës, Taravari paralajmëroi investime në rrugë të rikonstruktuara me ndriçim LED me efikasitet energjetik, parkingje të organizuara, transport publik për nxënës e studentë, si dhe qasje të sigurt në zonat rurale.
“Tregje moderne me përparësi për bizneset familjare me lehtësira për prodhuesit e produkteve BIO, ruajtja e arkitekturës tradicionale shqiptare do të jenë pjesë e pandashme e zhvillimit tonë urban,” shtoi ai.
Duke përmbyllur prezantimin, Taravari nënvizoi moton e kësaj pike të platformës:
“Mjedis i pastër – Komunitet i shëndetshëm; Infrastrukturë moderne – Zhvillim i qëndrueshëm.” Flaka Media
The post Mjedis i pastër – Komunitet i shëndetshëm; Infrastrukturë moderne – Zhvillim i qëndrueshëm appeared first on Flaka, në çdo lajm… .