
Reagojnë BDI dhe ASh: VLEN në rolin e opozitës, hesht përballë “Botës Serbe”
Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet një përballje e ashpër mes BDI-së, Aleancës për Shqiptarët dhe VLEN-it, ku paradoksi më i madh është se VLEN, edhe pse pjesë e qeverisë, po sillet si opozitë duke dhënë deklarata politike, por pa ndërmarrë asnjë hap institucional për të ndalur depërtimin ekonomik dhe politik serb në vend.
BDI ka akuzuar qeverinë aktuale dhe VLEN-in si vegël të Beogradit, duke e lidhur hyrjen e kapitalit serb me një strategji të koordinuar të “Botës Serbe” për të zbehur orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.
“Nuk bëhet fjalë për investime neutrale. Telekomi Serb, Alta Banka, rrjetet mediatike serbe – të gjitha janë mjete politike të Beogradit për të rritur ndikimin e tij në rajon dhe për të dobësuar strukturat euroatlantike. Qeveria aktuale, me VLEN-in si instrument politik, po lejon kolonizimin ekonomik dhe politik të vendit,” – deklaron BDI.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësim të thellë për konsolidimin e kapitalit serb në sektorë strategjikë, duke paralajmëruar rreziqet për sigurinë dhe sovranitetin e vendit.
“Kur telekomunikacioni, bankat dhe media përqendrohen në duart e një aktori të vetëm, krijohet një kapacitet i strukturuar për ndikim politik dhe ekonomik. Në këtë rast, aktori është një shtet që hapur artikulon projektin e ‘Botës Serbe’. Qeveria hesht, institucionet heshtin, ndërsa vendi rrezikon të humbasë kontrollin mbi sektorë kyç,” – thekson Aleanca për Shqiptarët.
VLEN, duke iu kundërpërgjigjur akuzave, ka tentuar ta kthejë vëmendjen drejt periudhës kur BDI ishte në pushtet, duke e quajtur atë “parti themeluese e Botës Serbe” në Maqedoni.
“Hyrja e MTEL në Maqedoni në vitin 2021 ndodhi pikërisht kur BDI ishte në pushtet, me Bujarin ministër të Jashtëm dhe ministrat e ekonomisë e financave nga radhët e tyre. Pa pëlqimin e qeverisë së BDI-së, MTEL nuk do të hynte në treg. E njëjta qeveri hapi derën për kapitalin e dyshimtë serb në biznesin e kazinove. Prandaj, BDI nuk mund të shitet sot si mbrojtëse e interesave kombëtare,” – deklaron VLEN.
Megjithatë, opozita shqiptare vlerëson se deklaratat e VLEN-it mbeten thjesht retorikë, pasi nuk janë shoqëruar me asnjë veprim institucional, ndërkohë që procesi i penetrimit ekonomik serb vazhdon pa pengesë.
“Është absurde që një subjekt që është në qeveri të sillet si opozitë. Nëse VLEN ka prova dhe vullnet politik, le të përdorë institucionet për të bllokuar këto investime strategjike. Përndryshe, po bëhet thjesht mbulesë politike e një procesi të rrezikshëm për vendin,” – shton BDI.
Në këtë klimë të tensionuar politike, beteja për narrativën e “Botës Serbe” po përdoret nga të gjitha palët për të akuzuar njëra-tjetrën, por realiteti mbetet se kapitali serb po fiton terren në Maqedoninë e Veriut, ndërsa përplasjet partiake nuk po përkthehen në masa konkrete për ta ndalur këtë proces. Flaka Media
The post Reagojnë BDI dhe ASh: VLEN në rolin e opozitës, hesht përballë “Botës Serbe” appeared first on Flaka, në çdo lajm… .