
Nis përplasja për UÇK-në mes Mickoskit dhe BDI-së: Kush po e kthen vendin 30 vite pas?
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së sotme në komunën e Petrovecit, u pyet nga gazetarët lidhur me deklaratën e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, i cili së fundmi ka vlerësuar si të justifikuar dhe të drejtë luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001, shkruan Flaka Media
Mickoski: Pikëpamje të ndryshme për 2001-in
“E dëgjova atë deklaratë dhe këtu absolutisht kemi pikëpamje të ndryshme për gjërat. Nuk mund të jetë absolutisht e arsyeshme dhe e drejtë të vriten pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes nga një pritë,” deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se këto çështje i përkasin së kaluarës dhe janë mbyllur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit:
“Do ta them përsëri, këto janë tema që janë pjesë e së kaluarës, të mbyllura me Marrëveshjen Kornizë, dhe me ndryshimet e fundit ligjore, konkretisht ligjin për përfaqësim të drejtë, i cili është në Komisionin e Venedikut, është mbyllur. Fokusi ynë si Qeveri është e ardhmja. Kjo është ajo që ne duam të shohim. U bëj thirrje të gjithë politikanëve të arsyeshëm të mos luajnë me letrat e BDI-së dhe atyre që duan të na kthejnë 25 vjet prapa.”
Reagimi i BDI-së: Mickoski po kthen vendin mbrapa
Nga BDI reaguan ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit, duke e cilësuar “paradoksale” qasjen e tij.
“Është paradoksale që kryeministri flet për ‘moskthim në vitin 2001’, ndërkohë që çdo ditë e praktikës qeverisëse së tij është kthim prapa në kohë: tek diskriminimi, majorizimi, përjashtimi dhe shkelja e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera,” thuhet në reagimin e partisë.
BDI theksoi se përkujtesa e vitit 2001 nuk është një temë e mbyllur, por një kujtesë për çmimin që qytetarët paguan për barazi dhe Marrëveshjen e Ohrit:
“Përkujtesa e vitit 2001 është kujtesë për çmimin që qytetarët paguan për Marrëveshjen e Ohrit, e cila sot po shkelet hapur nga qeveria aktuale.”
Akuzat e BDI-së ndaj qeverisjes së Mickoskit
Në reagim, BDI listoi një sërë akuzash ndaj qeverisë dhe kryeministrit:
- Shfuqizimi “në mënyrë antikushtetuese” i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, si vlerë kushtetuese që buron nga Marrëveshja e Ohrit.
- Rikthimi i majorizimit në vendimmarrje, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese ku vendimet merren me mbivotim etnik.
- Propozimi për shfuqizimin e ligjit për gjuhën shqipe dhe mosrespektimi i tij.
- Diskriminimi i shqiptarëve në administratë dhe injorimi i gjuhës shqipe nga institucionet.
- Përjashtimi i diasporës shqiptare nga proceset vendimmarrëse dhe mbështetja financiare, përfshirë zvogëlimin antikushtetues të numrit të këshilltarëve komunal.
- Bllokimi i projekteve zhvillimore në komunat shqiptare dhe anashkalimi i investimeve në zonat ku jetojnë shqiptarët.
- Shndërrimi i konceptit të “botës serbe” në politikë shtetërore, siç theksohet edhe në raportin e fundit të Parlamentit Evropian.
- Bllokimi i të ardhmes evropiane, shmangia nga procesi i vetingut dhe mosmbështetja e hetimeve ndaj çdo funksionari.
- Mungesa e transparencës për procesin e privatizimit.
BDI: Kush po e kthen vendin 30 vite pas?
“Tash po e parashtrojmë pyetjen se kush po na kthen 30 vite mbrapa? Ju apo ne?”, pyet BDI në reagim.
Partia thekson se nuk do të lejojë që padrejtësitë para vitit 2001 të përsëriten dhe se do të insistojë në ruajtjen e karakterit multietnik të vendit:
“Nuk ka të ardhme pa drejtësi dhe barazi. Kush harron padrejtësitë e së kaluarës, i përsërit ato në të ardhmen. Ne do të insistojmë në respektimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, sepse është themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet çdo politikë, çdo investim, çdo shkollë dhe çdo autostradë.”
Në fund, BDI thekson se kandidatët dhe fituesit e zgjedhjeve duhet të jenë të zgjedhur nga populli, jo nga preferencat e kryeministrit. Flaka Media