Java e trazuar: Goditje politike, skandale dhe kërcënime për sigurinë
Java që lamë pas u karakterizua nga tensione të theksuara politike, përplasje institucionale dhe ngjarje të cilat e vendosin vendin në qendër të vëmendjes rajonale. Flaka Media sjellë dhjetë momentet më të rëndësishme:
1. Mickoski përjashton BDI-në nga qeveria e ardhshme
Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi publikisht se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk do të ketë mundësi të bëhet pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve të tetorit. Ai akuzoi BDI-në dhe LSDM-në si “ortakë në krim dhe në goditje ndaj Maqedonisë”.
2. Vendimi i KShZ për këshilltarët ndez debat
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi udhëzimin e ri për numrin e këshilltarëve komunalë, duke sjellë zvogëlim të vendeve në disa komuna me shumicë shqiptare. Vendimi u quajt antikushtetues dhe i dëmshëm për demokracinë lokale nga përfaqësuesit shqiptarë.
3. Rregullat e reja të udhëtimit drejt BE-së shtyhen
Rregullat e planifikuara për hyrjen në fuqi këtë vit janë shtyrë. Maqedonia e Veriut do të përballet me këto rregulla vitin e ardhshëm, nëse nuk ka vonesa të tjera.
4. Vuçiq përballë protestave, përmend Koçanin
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i goditur nga protesta të dhunshme në Serbi pas tragjedisë në Novi Sad, përmendi fatkeqësinë në Koçan të Maqedonisë ku humbën jetën 62 persona. Ai e përdori rastin për të justifikuar qeverisjen e tij dhe në mënyrë indirekte e vuri në pozitë të vështirë kryeministrin Mickoski.
5. Ministri i Drejtësisë kërkon rishikim të Badenterit
Igor Filkov tha se ndoshta ka ardhur koha të rishikohet mekanizmi i Badenterit, duke e quajtur abuzim përdorimin e tij. Deklarata ngjalli reagime të forta, pasi Badenteri është një nga garancitë kryesore për të drejtat e shqiptarëve në vend.
6. Alta Banka nga Serbia synon blerjen e Stopanska Banka Bitola
Alta Banka AD Beograd ka njoftuar se planifikon të blejë të gjitha aksionet ordinare të Stopanska Banka AD Bitola, me ofertë 3.777 denarë për aksion. Aktualisht, ajo kontrollon 4.97% të aksioneve.
7. Gazetar i Tetovës ndalohet nga policia
Gazetari i “Tetovasot”, Nevrij Ademi, u ndalua për më shumë se dy orë nga policia vetëm pse kërkoi informacion publik. Rasti u konsiderua shkelje flagrante e lirisë së medias.
8. Skandal në klinikat private, sipas dr. Kedev
Mjeku i zemrës, dr. Sashko Kedev, denoncoi se në disa klinika private bëhen operacione të panevojshme te pacientët, vetëm për përfitime financiare, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Ai kërkoi reagim nga Ministria e Shëndetësisë.
9. Ahmeti prezanton logon e re të AKI-së
Ali Ahmeti prezantoi logon e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), duke theksuar se BDI hyn në zgjedhjet e tetorit e bashkuar dhe me vizion të qartë europian. Ai akuzoi qeverinë aktuale se ka humbur legjitimitetin shqiptar.
10. Alarm i rremë për bombë në Aeroportin e Shkupit
Një denoncim për bombë në një avion që do të fluturonte drejt Turqisë nga Shkupi mobilizoi njësinë antiterroriste. Pas kontrolleve u konstatua se alarmi ishte i rremë.
Java e fundit në Maqedoninë e Veriut dëshmoi tensione politike të rritura, përplasje të ashpra mes partive shqiptare dhe qeverisë, por edhe sfida të mëdha në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe integrimit europian. Tetori po afron dhe dinamika e ngjarjeve tregon se zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në një atmosferë të ngarkuar. Flaka Media






