
Huliganët maqedonas terrorizojnë nxënësit shqiptarë në mes të Tetovës – Reagon BDI dhe ASH
Një akt brutal dhune ka tronditur Tetovën. Mbi 20 tifozë të grupit “Vojvoda” kanë sulmuar dy nxënës shqiptarë të shkollës së mesme ekonomike, duke i rrahur barbarisht, raporton Tetova Sot.
Sipas viktimave, huliganët fillimisht i kanë fyer me sharje të rënda e më pas i kanë goditur pa pushim me grushte. Nga dhuna e ushtruar, nxënësit nuk mbajnë mend gjithçka që ka ndodhur.
Të dy të miturit janë dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës me lëndime të rënda. Njëri ka hundën e thyer, ndërsa tjetri ka të thyer brinjët dhe krahun e majtë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra politike.
BDI: “Akt barbar dhe kërcënim për marrëdhëniet ndëretnike”
Bashkimi Demokratik për Integrim e cilësoi ngjarjen si akt të paprecedent.
“E dënojmë ashpër aktin e dhunës së paprecedent që ka ndodhur sot në Tetovë, ku një grup më i madh personash, sipas deklaratave të viktimave të lënduara rëndë, ishin të nacionalitetit maqedonas dhe sulmuan disa të rinj shqiptarë adoleshentë. Ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë në Tetovë dhe për marrëdhëniet ndëretnike në vend”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia kërkoi nga organet e rendit dhe drejtësisë që brenda orëve të ardhshme të identifikojnë dhe ndëshkojnë autorët e këtij sulmi.
“Çdo vonesë është e barabartë me nxitje të dhunës dhe dëm të sigurisë publike. U bëjmë thirrje të rinjve shqiptarë në Tetovë të mos bien pre e provokimeve dhe të mos bëhen pjesë e skenarëve të mundshëm dhe të rrezikshëm që synojnë destabilizim dhe tension ndëretnik”, vijon më tej deklarata.
ASh: “Dhuna ndaj fëmijëve është vijë e kuqe”
Edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit reagoi ashpër.
“Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për aktin e fundit të dhunës brutale në Tetovë, ku mbi 20 huliganë të grupit ‘Vojvoda’ kanë sulmuar barbarisht dy nxënës shqiptarë të shkollës së mesme ekonomike. Ky sulm, i cili ka lënë pas dy të mitur me lëndime të rënda – njëri me hundë të thyer dhe tjetri me brinjë e krah të thyer – është dëshmi e një klime të papranueshme urrejtjeje etnike dhe tolerance institucionale ndaj huliganizmit”, thuhet në reagimin e partisë.
ASh kërkoi reagim urgjent nga institucionet.
“Kërkojmë urgjentisht nga Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike që të identifikohen dhe të arrestohen menjëherë të gjithë autorët e këtij akti kriminal. Dhuna ndaj fëmijëve është vijë e kuqe dhe përgjegjësia bie mbi institucionet që duhet të garantojnë rend dhe siguri”, theksohet më tej.
Aleanca për Shqiptarët i inkurajoi viktimat dhe familjet e tyre të kërkojnë drejtësi deri në fund, duke shtuar se “ky rast nuk duhet të mbyllet si një incident i zakonshëm, por të trajtohet si akt i dhunës së organizuar me bazë etnike”. Flaka