
BDI: Mexhiti me Vulinin, Stoilkoviçin e Dimitrievskin në pazare të pista financiare!
Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur publikisht një pyetje të rëndë, duke kërkuar transparencë të plotë për atë që e cilëson si një skandal të mundshëm politik dhe financiar.
“Në interes të transparencës dhe të drejtës së qytetarëve për informim, ngremë pyetjen për të cilën opinioni publik ka të drejtë të marrë përgjigje: A ka ndodhur në shkurt 2025, në kabinetin e Kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në praninë e Zëvendëskryeministrit Stoilkoviç, një takim midis Izet Mexhitit dhe Aleksandar Vulin, gjatë të cilit është diskutuar dhe koordinuar një investim i madh serb në Bitolska Banka?” – pyet BDI.
Nga kjo parti thonë se nëse informacionet e përhapura janë të sakta, pasojat politike dhe ekonomike janë të rënda.
“Nëse këto informacione rezultojnë të sakta, është e domosdoshme që qytetarët të informohen për motivet, përmbajtjen dhe pasojat e një takimi të tillë. Çdo mungesë transparence kur bëhet fjalë për interesa financiare ndërkombëtare ngre dyshime serioze për ndikim dhe varësi politike.” – thekson BDI.
Për këtë arsye, BDI kërkon reagim urgjent nga tre emra kyç të përmendur.
“Ftojmë publikisht Kryetarin e Kumanovës, Zëvendëskryeministrin Stoilkoviç dhe Izet Mexhitin që të japin shpjegime të qarta dhe të menjëhershme para opinionit.” – thuhet në reagimin e BDI-së. Flaka