
BDI: E turpshme që zyrtari i Mickiskit akuzon shtetin shqiptarë
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Latif Arifit, Koordinator Kombëtar për Komunikim dhe Media në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Në një komunikatë publike, BDI thekson se është e “turpshme dhe alarmuese” që një funksionar i paguar nga Zyra e Kryeministrit përdor gjuhën e “fyerjes, përçarjes dhe sulmit të hapur ndaj shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij”.
“Kjo nuk është më thjesht një dalje e pakontrolluar e një individi të vogël, por një provë e qartë politike që ngre pyetje serioze për vetë Qeverinë: A është ky qëndrimi zyrtar i Mickoskit ndaj Tiranës? Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk do të pranojnë kurrë që njerëz të punësuar në institucione shtetërore të shndërrohen në megafonë të VMRO-së për të hedhur baltë mbi Shqipërinë dhe partnerët tanë strategjikë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia e Ali Ahmetit kërkon përgjigje të qartë nga Kryeministri Hristijan Mickoski, duke e pyetur publikisht nëse Latif Arifi flet në emër të Qeverisë apo në emër të partisë.
Fillimisht,Latif Arifi ka reaguar në rrjetet sociale me tone të forta ndaj BDI-së, duke i akuzuar për propagandë dhe shpifje.
“Makineria e Ramës dhe gebelsi i BDI-së nuk e ndalin dot dinjitetin shqiptar! Një propagandë e orkestruar nga gebelsi i saj në azil, e dirigjuar nga pinjollët e tij, e përforcuar nga makineria e Ramës dhe megafonat e tij në Tiranë e Shkup, janë në ofensivë të tërbuar kundër VLEN”, shkruan Arifi.
Ai ka akuzuar BDI-në për manipulime të qëllimshme të deklaratave të përfaqësuesve të VLEN-it dhe ka theksuar se shqiptarët tashmë “nuk i hanë më këto fora” dhe se “fuqia e VLEN do të shihet në çdo votë”.
Kush është Latif Arifi?
Latif Arifi është Koordinator Kombëtar për Komunikim dhe Media në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe një nga bashkëpunëtorët e afërt në kabinetin e Kryeministrit Hristijan Mickoski. Ai është gjithashtu pronar i portalit FOL nga Tetova. Në daljet e tij publike, shpesh ka sulmuar Tiranën zyrtare dhe ambasadorin Denion Meidani, duke u pozicionuar hapur në linjë me narrativën politike të VMRO-DPMNE-së. Flaka