Hoxha: Thellojmë bashkëpunimin institucional me Kosovën në bujqësi dhe sigurinë ushqimore
Avancimi i bashkëpunimit në bujqësi dhe shkëmbimi i produkteve bujqësore dhe ushqimore ishin në fokus të takimit të sotëm zyrtar të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Armend Muja.
Në takim mori pjesë edhe zëvendësministri Albrim Hoxha, ndërsa delegacioni i Kosovës shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e komunikimit dhe koordinimit të rregullt ndërmjet institucioneve kompetente, avancimit të bashkëpunimit bilateral, harmonizimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe shkëmbimit të përvojave në procesin e integrimit evropian.
Ministri Serafimovski theksoi se afërsia e tregjeve dhe potenciali i bujqësisë krijojnë bazë për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve përmes bashkëpunimit më të fuqishëm institucional, rritjes së shkëmbimit tregtar dhe partneriteteve afatgjata ndërmjet prodhuesve dhe kompanive të sektorit ushqimor.
“Për bujqit dhe kompanitë tona, kushtet e parashikueshme të tregtisë janë të rëndësishme për plasman të sigurt dhe planifikimin e prodhimit. Me koordinim të rregullt institucional dhe respektimin e standardeve të cilësisë krijojmë kushte për zhvillimin e shkëmbimit tregtar. Në një bashkëpunim të tillë shohim interes të përbashkët për prodhuesit, kompanitë dhe konsumatorët në të dy vendet”, theksoi ministri Serafimovski.
Ministri Muja nënvizoi rëndësinë e një qasjeje sistematike në bashkëpunimin bilateral, përmes së cilës prioritetet e përbashkëta do të shndërrohen në punë të vazhdueshme të shërbimeve kompetente dhe në shkëmbim profesional ndërmjet dy ministrive.
“Prioriteti ynë është ta forcojmë dhe strukturojmë bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive, me kontakte të rregullta institucionale dhe kanale të qarta komunikimi, duke avancuar njëkohësisht bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, harmonizimit të certifikatave dhe standardeve, si dhe integrimit evropian”, deklaroi ministri Armend Muja.
Zëvendësministri Albrim Hoxha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet organeve kompetente, me vëmendje të veçantë ndaj sigurisë ushqimore dhe çështjeve që lidhen me qumështin dhe produktet e qumështit.
“Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona duhet të jetë i drejtpërdrejtë, i shpejtë dhe i bazuar në besim të ndërsjellë. Kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore, veçanërisht për qumështin dhe produktet e qumështit që tregtohen ndërmjet dy vendeve, është e rëndësishme që çdo çështje të shqyrtohet në bazë të dokumentacionit të plotë, rezultateve laboratorike dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet organeve kompetente. Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: mbrojtja e konsumatorëve dhe, njëkohësisht, krijimi i kushteve për shkëmbim të sigurt dhe të pandërprerë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, deklaroi zëvendësministri Hoxha.
Në takim morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, dhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angelovski.(INA)