
Bujar Osmani: Në politikë nuk ka vakum, ose BE ose ndikimi serbo-rus
Në politikë vakum nuk ka, ose jeni në BE ose jeni pjesë e botës serbo-ruse. Kjo ka qenë gjithmonë, sa ma përpara ecni në rrugën e BE-së, aq më shumë shkëputeni nga bota serbo-ruse. Sa ma tepër e ngadalësoni rrugën për në BE, automatikisht ju bëheni pjesë e botës serbe. Kështu është deklaruar kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Çairit, Bujar Osmani në intervistë për PressOnline.al
“Është bllokuar tërësisht rruga për në Bashkimin Europian dhe kjo është shërbimi më i madh që i është bërë botës serbe se interesi i botës serbe është ta mbajë Maqedoninë e Veriut si një foshnje e vetme, në ndikimin e vet që t’i kapë instrumentet kryesore të shtetit, t’i kapë bankat, t’i kapë mediumet, ta kapë ekonominë edhe shtetin e thellë, shërbimet dhe kështu në këtë mënyrë ta kontrollon. Sa ma tepër ne bëjmë reforma drejt BE-së, ne ia prishim planet botës serbe, prandaj bota serbe është ulë në dy këmbë, në Maqedoninë e Veriut, fillimisht duke e emëruar zëvendëskryeministrin për Marrëveshjen e Ohrit, Stoilkoviqin, pastaj duke hapur bankën serbe, pastaj duke kapur telekomunikimin, pastaj duke u instaluar në biznes”, tha Osmani.
Sipas tij, bllokimi drejt Bashkimit Europian, është thjesht plan i botës serbe për të larguar Republikën e Maqedonisë së Veriut nga Bashkimi Europian.
“Shqiptarët nuk do të pranojnë se ata e dijnë se është baraspeshë, një hap drejt Europës është një hap larg botës serbe dhe e kundërta. Kjo Qeveri është duke punuar që Maqedonia e Veriut të bëhet djep dhe foshnje e botës serbe dhe ruse këtu”, përfundoi Osmani.