
VLEN sërish me akuza ndaj Osmanit
Arbnor Maliqi nga VLEN-Çair ka dalë me një deklaratë të ashpër ndaj Bujar Osmanit, duke e cilësuar atë si “kalorësin e fundit të Nikolla Gruevskit” dhe duke e akuzuar për një varg gënjeshtrash e manipulimesh politike.
“Gënjeshtrat e Bujar Osmanit kanë kaluar çdo kufi, e vërteta tashmë nuk mund të fshihet,” tha Maliqi, duke shtuar se gjatë gjithë karrierës së tij politike Osmani “jo vetëm që nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e dhëna, por ka përdorur vazhdimisht gënjeshtra dhe manipulime për të mashtruar qytetarët shqiptarë.”
Maliqi theksoi katër çështje kryesore ku, sipas tij, Osmani ka mashtruar opinionin:
- “E para, Bujar Osmani gënjeu lidhur me takimin me ish-kryeministrin Nikola Gruevski. Ai publikisht e mohoi një gjë të tillë, ndërkohë që tashmë ekzistojnë dëshmi të qarta që e vërtetojnë të kundërtën.”
- “E dyta, ai gënjeu për kontaktet e tij me udhëheqësit shtetërorë të Serbisë. Janë dokumentuar të paktën 11 takime, për të cilat ai asnjëherë nuk ka informuar opinionin publik.”
- “E treta, Bujar Osmani gënjeu për çështjen e hyrjes së kapitalit serb në sektorin e telekomunikacionit. Pikërisht gjatë mandatit të tij u dha leja për hyrjen e kompanisë MTEL.”
- “E katërta, ai vazhdimisht gënjeu për ndërtimin e rrugës drejt pikës kufitare në Bllacë, duke e shndërruar këtë projekt në premtim të përsëritur në çdo fushatë.”
VLEN kërkon nga Osmani shpjegime publike lidhur me interesat që qëndrojnë pas kapitalit serb në sektorin e telekomunikacionit dhe lojërave të fatit. “A kanë lidhje vizitat e shpeshta të tij në Serbi me këto marrëveshje të dyshimta?” pyeti Maliqi.
Sipas tij, nuk është rastësi që Osmani ishte një nga mbështetësit e mëdhenj të nismës “Ballkani i Hapur”. “Ky projekt fuqizoi ndikimin e Beogradit në rajon dhe dëmtoi pozicionin politik e ekonomik të shqiptarëve,” u shpreh Maliqi.
Ai shtoi se modeli i Osmanit është i njëjtë me atë të strukturave të vjetra të pushtetit: “Sot, ai përfaqëson më shumë interesat e Gruevskit, Mijallkovit dhe Beogradit sesa ato të qytetarëve shqiptarë. Ai është shndërruar në një zëdhënës dhe zbatues të urdhrave të Ali Ahmetit.”
Në fund, VLEN i bëri thirrje Osmanit të japë llogari:
“Shqiptarët meritojnë përgjigje të qarta dhe përgjegjësi të plotë, jo gënjeshtra të reja. Bujar Osmani duhet të pranojë përgjegjësinë dhe të tërhiqet nga jeta politike, ose të mbetet përgjithmonë i njohur si figura që punoi me vetëdije kundër interesave të popullit shqiptar.”