
ASH-Sela: Deklarata e Adnan Azizit alarm për stabilitetin dhe sigurinë në vend
Aleanca për Shqiptarët, përmes kryetarit Ziadin Sela, ka reaguar ashpër pas deklaratës së deputetit të VLEN-it, Adnan Azizi, i cili mbrëmë tha se “kemi informacione të sakta” se do të digjet një xhami në Kodrën e Diellit.
“Deklarata e mbrëmshme e deputetit të VLEN, Adnan Azizi, është shqetësuese dhe nuk guxon të ngelet pa u zbardhur deri në fund. Ajo që u tha mbrëmë është një alarm për marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend, sigurinë e qytetarëve, por edhe për stabilitetin e vendit,” tha Sela.
Ai e ftoi deputetin Azizi që menjëherë të bëjë publike informacionet ose t’i dorëzojë ato në institucionet kompetente.
“Nëse ai nuk e bën këtë për çfarëdo qoftë arsye, atëherë Prokuroria Publike duhet të ndjekë deputetin Azizi për nxitje të urrejtjes dhe dhunës në baza fetare, skenare të rrezikshme për vendin dhe sigurinë e qytetarëve,” theksoi lideri i ASH-së.
Sela paralajmëroi se nëse nuk ka të dhëna konkrete, atëherë rreziku vjen nga vetë deklarata politike.
“Aktet e tilla paraqesin terrorizëm dhe cënim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Duhet të vërtetohet nga organet kompetente nëse vërtetë ka rrezik për ngjarje të tilla, apo rreziku vjen nga deklarata e një politikani që cënon edhe rendin kushtetues për përfitime politike ditore,” u shpreh ai.
Sipas tij, mosveprimi i institucioneve do të tregojë se pas kësaj deklarate fshihet skenar politik i qëllimshëm.
“Nëse nuk jepen të dhëna të sakta në Prokurori dhe ky rast nuk zbardhet në kohë, atëherë është e qartë se VLEN dhe Shefi i Shtabit të tyre zgjedhor po luajnë me zjarr, me urrejtje ndërfetare dhe skenare të ngjashme të rrezikshme për qëllime të fushatës parazgjedhore,” tha Sela.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e manipulimeve.
“Lojërat politike me skenare dhe prapavijë fetare janë të patolerueshme dhe ftojmë qytetarët që të mos bien pre e skenareve, deklaratave dhe manipulimeve të tilla, të cilat jo rrallë herë i kemi dëgjuar nga eksponentë të këtyre partive,” përfundoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët.