
Beqiri shpalos programin e tij para qytetarëve
Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka shpallur programin e tij para qytetarëve, duke premtuar se do të hapë një kapitull të ri zhvillimi për këtë komunë që shpesh është lënë pas dore.
“Haraçina është shtëpia jonë e përbashkët. Askush më mirë se ne nuk e di se çfarë sfidash ka kaluar kjo komunë. Falënderojmë udhëheqësinë aktuale për gjithçka ka bërë, por le ta themi hapur: Haraçina meriton shumë më tepër,” tha Beqiri.
Ai premtoi projekte konkrete dhe të domosdoshme për banorët:
“Ujë i pastër për pije në çdo shtëpi; kanalizim modern për shëndetin e qytetarëve; stadium dhe park i gjelbër për rininë dhe familjet; investime serioze në shkolla për gjeneratat e reja; rrugë të asfaltuara kudo në Mojancë, Grushinë e Orllancë, në çdo cep të komunës,” theksoi kandidati i VLEN-it.
Një nga zotimet kryesore është edhe zgjidhja e problemit shumëvjeçar të kanalit.
“Do të bëjmë mbulimin e plotë të ‘kanalit famshëm’ që për vite me radhë ishte plagë e hapur për Haraçinën,” u shpreh Beqiri.
Ai theksoi se nuk ofron iluzione, por punë konkrete dhe përkushtim:
“Unë nuk ofroj iluzione. Ofroj punë të ndershme, përkushtim dhe rezultate. Koha e fjalëve të bukura ka mbaruar. Tani është koha e veprave! Haraçina nuk do të jetë më sinonim i harresës dhe padrejtësisë,” tha Beqiri.
Në përmbyllje, kandidati i VLEN-it u shpreh i bindur se Haraçina mund të shndërrohet në shembull të suksesit:
“Unë besoj thellë se kjo komunë, e cila shpesh është përmendur si simbol i harresës, do të bëhet shembull i zhvillimit dhe krenarisë. Me mbështetjen tuaj, së bashku do ta shkruajmë kapitullin e dinjitetit dhe të ardhmes më të mirë për të gjithë,” përfundoi Beqiri.