
Mengjeset e hershme të Osmanit zbulojnë dhjetëra pika të zeza në Çair: Pesë urgjenca në Topanë
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, edhe këtë mëngjes ka vazhduar praktikën e tij për të dalë në terren në orët më të hershme të ditës. Në një video të publikuar në profilin e tij në Facebook, ai bëri të ditur se në orën 05:30 ka vizituar lagjen Topanë, ku ka evidentuar problemet kryesore me të cilat përballen banorët.
“Në Topanë pashë kushte të padenja për qytetarët e Çairit. Kjo është një lagje në zemër të Shkupit, që shtrihet para Ambasadës Amerikane, ndërkohë që njerëzit ende jetojnë pa kanalizim, me rrugë të ngushta dhe me infrastrukturë të lënë pas dore. Kjo gjendje duhet të ndryshojë menjëherë”, theksoi Osmani.
Ai shtoi se ka identifikuar pesë prioritete që do të jenë pjesë e angazhimit të tij urgjent pas marrjes së mandatit.
“Rrugë të ngushta pa kanalizim, kaos urban, infrastrukturë e shkatërruar, kushte të pasigurta për fëmijët dhe mungesë të shërbimeve bazike – ky është realiteti me të cilin përballen banorët e Topanës. Zgjidhja e këtyre problemeve do të jetë prioriteti im numër një”, deklaroi Osmani.
Duke folur për qasjen e tij në fushatë, ai theksoi se vizitat e hershme janë mënyra më e mirë për të parë realitetin pa filtra.
“Çairi duhet të ngrihet në një nivel të denjë për qytetarët e tij. Pikërisht kjo gjendje është arsyeja pse çdo ditë, që para lindjes së diellit, dal në terren për të parë nga afër situatën reale dhe për të ofruar zgjidhje konkrete”, përfundoi Osmani.