
VMRO-DPMNE po margjinalizon shqiptarët, por po zhduk edhe maqedonasit
Gjatë vitit 2024 sipas raportit të Komisionit për Shtetësinë Bullgare, 1,698 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare.
Ky numër është pjesë e një trendi të vazhdueshëm ku mijëra qytetarë po kërkojnë shtetësi bullgare si mundësi për kushte më të mira jetese dhe punësimi në Bashkimin Evropian.
Gjatë periudhës 2010–2020, 65,675 maqedonas morën shtetësinë bullgare me dekret presidencial ndërsa në vitet 2020 dhe 2021 numri ishte përkatësisht 9,098 dhe 7,696 qytetarë.
Në total burime bullgare dhe ndërkombëtare raportojnë se rreth 120 mijë maqedonas kanë marrë nënshtetësi bullgare gjatë 22 viteve të fundit. Arsyet e këtij trendi lidhen kryesisht me lirinë e lëvizjes dhe mundësitë për punë dhe studime në Bashkimin Evropian, prejardhjen bullgare e cila kërkon dëshmi për origjinë shpesh përmes deklaratave të vetëdijes ose dokumenteve historike si dhe motivet ekonomike pasi qytetarët shpesh paguajnë deri në 1,000 euro për të siguruar pasaportë bullgare.
Një problem shtesë lidhet me adresat fiktive dhe regjistrimet jo reale, pasi vetëm ndërmjet viteve 2016 dhe 2019 mbi 4,000 qytetarë maqedonas u regjistruan në vendbanimin Rilci me adresa inekzistente ndërsa në fshatin Belo Pole janë ende të regjistruar mbi 10,000 maqedonas të cilët vendasit thonë se nuk i kanë parë kurrë.
Marrja e pasaportave bullgare shihet si strategji individuale për të siguruar të ardhmen por nga një këndvështrim politik kjo është tregues i krizës së besimit në shtetin maqedonas, ku qeveria aktuale e VMRO-DPMNE-së akuzohet se me politikën e saj gjithnjë e më afër Beogradit po minon marrëdhëniet me Bullgarinë duke i shtyrë qytetarët të kërkojnë alternativa jashtë vendit. Kjo sjell një dilemë identitare ku maqedonasit po bëhen bullgarë në letër për të mbijetuar ekonomikisht ndërkohë që diskursi politik i brendshëm vazhdon ta mohojë ose problematizojë këtë fenomen.
Analistët paralajmërojnë se nëse trendi vazhdon deri në vitin 2035 popullsia maqedonase do të përballet me një krizë identitare dhe demografike ku një numër i madh qytetarësh do të mbajnë shtetësi tjetër dhe do të jetojnë jashtë vendit.
“Me një politikë të tillë, VMRO-DPMNE po shkatërron jo vetëm shtetin, por edhe popullin maqedonas. Trendet tregojnë se deri në vitin 2035, gjendja do të jetë fatale për popullin maqedonas,” thotë Driton Zenku, kryeredaktor në Flaka.
Në këtë kontekst çështja e pasaportave bullgare nuk është vetëm statistikë por simptomë e dobësisë së shtetit, mungesës së perspektivës së brendshme dhe politikave që nuk i ofrojnë qytetarit maqedonas arsye të forta për të ndërtuar jetën e tij në vend. Flaka