
Emri i Izet Mexhitit u përmend në rastin gjyqësor “Belanocë/Baron”
Në seancën e sotme gjyqësore të mbajtur në sallën e burgut të Idrizovës, të akuzuarit e grupit kriminal “Belanocë/Baron” u deklaruan të pafajshëm për akuzat e rënda që u ngarkohen – së paku tetë vrasje, pjesëmarrje në organizatë kriminale, zhvatje, kërcënime, zjarrvënie të objekteve dhe automjeteve.
Njëri nga të akuzuarit, Gani Marku, dorëzoi në gjykatë dhe në prokurori një komunikim telefonik, përmes të cilit – sipas tij – zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka ushtruar presion ndaj prokurores Verica Berzhetska Krsteva që atyre t’u gjykohet “pa prova”, shkruan Telma.
Marku është i akuzuar si ekzekutor i vrasjes së Orhan Bajramit – Oki në Halkidiki, një prej liderëve të grupit rival “Dukandzhik/Grçec”. Para këtij atentati kishte ndodhur edhe vrasja e dy bashkëpunëtorëve të Okit – Jeton Krivaneva (Xhila) dhe Enes Iseinov (Llaci) – në “Shisha bar”.
Sipas aktakuzës, i pari në listë dhe lideri i “Belanocës”, Fatlum Ajeti – Tote, ka siguruar 250 mijë euro dhe udhëzime konkrete për kryerjen e këtyre vrasjeve.
Avokatët e mbrojtjes bazuan argumentet e tyre në faktin se provat kryesore të Prokurorisë janë siguruar përmes masave të posaçme hetimore. “Klientët tanë janë përgjuar brenda qelive të burgut ndërsa vuanin dënime për vepra të tjera penale dhe ndërsa bisedonin mes tyre. Audio-incizimet janë siguruar në mënyrë të paligjshme”, theksuan avokatët në seancë.
Të akuzuarit kërkojnë që gjykata të mos i pranojë këto materiale si prova, ndërsa procesi pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmive dhe ballafaqimin e palëve.
Gjykata do të duhet të vendosë nëse komunikimet e dorëzuara nga Marku do të pranohen si prova. Nëse ato verifikohen si autentike, procesi mund të marrë një kthesë të re.
Kabineti i zëvendëskryeministrit Mexhiti deri më tani nuk ka dalë me reagim zyrtar lidhur me këto akuza. Flaka