
Dorëheqje me akuza: Fisnik Ristemi largohet nga VLEN në Gostivar
Në prag të zgjedhjeve lokale, koalicioni VLEN në Gostivar është përfshirë nga një krizë e re e brendshme. Kryetari i shtabit zgjedhor, Fisnik Ristemi, ka dhënë dorëheqje duke shpërthyer me akuza të rënda ndaj figurave brenda koalicionit.
Në reagimin e tij publik, Ristemi deklaron:
“Prej sot nuk do jemë Kryetar Shtabi i koalicionit VLEN në Gostivar! Nuk do jemë pjesë e kalkulimeve të dështakëve në politikë si Azir Aliu e Bashkim Hasani!”
Ai thekson se nuk dëshiron të bartë përgjegjësi për një humbje të parashikuar të VLEN-it në Gostivar:
“Nuk dua të jem pjesë e dështimit dhe humbjes së madhe që do pësojnë në Gostivar VLEN, shkaku i këtyre personave, shkaku i këtyre dështakëve që nuk fitojnë as në lagjet e veta dhe shfrytëzojnë momentin e turbulluar në Gostivar për t’u ngritur politikisht, por do fundosen përfundimisht!”
Ristemi njoftoi gjithashtu tërheqjen nga çdo aktivitet politik brenda VLEN:
“Tërhiqem nga çdo aktivitet i VLEN!”
Megjithatë, ai nuk kurseu fjalët e respektit për disa drejtues të koalicionit dhe aktivistët në terren:
“Gjithësesi respekti për liderët e VLEN dhe për kryetarin e shtabit qendror Adnan Azizi dhe aktivistët që i solla e i gjeta në VLEN, vlejnë!”
Dorëheqja e Ristemit shihet si goditje serioze për strukturat lokale të VLEN në Gostivar, duke reflektuar përçarjet dhe pakënaqësitë e brendshme në prag të zgjedhjeve.