
Hapësirës mediatike i shtohet kanali “Luaj derën” i gazetares Xhemazije Rizvani
AA
Hapësira mediatike në gjuhën shqipe pasurohet me një kanal të ri informativ e kulturor.
Bëhet fjalë për “Luaj derën”, platformë e themeluar dhe e udhëhequr nga gazetarët Xhemazije Rizvani dhe Fitim Marovci, e cila prej një jave është vënë në qarkullim.
Kanali synon të mbulojë temat më pak të trajtuara në median tradicionale, me theks të veçantë tek arsimi, kultura, arti dhe çështjet shoqërore që prekin jetën e përditshme.
Përmes reportazheve, kronikave nga terreni dhe intervistave, “Luaj derën” premton të bëhet një hapësirë ku publiku do të ndjehet i lirë të shprehë mendimin e tij, pa kufizime dhe pa filtra të imponuar nga logjika e interesit të ngushtë mediatik.
Në një kohë kur pjesa më e madhe e mediave vizuale anashkalojnë ngjarjet kulturore apo arsimore, duke i konsideruar “jo tërheqëse për publikun e gjerë”, ky kanal zgjedh t’i vendosë ato në qendër të vëmendjes për ata ” pak” që ende nuk e kanë humbur interesin.
Pse “Luaj derën”?
“Emri i kanalit është dhe s’ është metaforik” shpjegon gazetarja Xhemazije Rizvani
“‘Luaj derën’ ngritet mbi proverbin popullor që të gjithëve na është i njohur. Kur nuk ke punë, luan derën. Njerëzit sot shpesh klikojnë rrjetet sociale pa arsye, sikurse hapin e mbyllin një derë kot, ndonjë ditë “të luajnë” derën është e vetmja punë që bëjnë. Janë dyer më saktë, që janë duke na e diktuar jetën, mënyrën si flasim, si mendojmë, si analizojmë. Janë dyer të reja që ftojnë të hapen që ta mundin harresën, pluhurat, dhe të kapin thelbin dhe përmbajtësoren në botën e spektaklit.
Pse thash s’ është metaforë? Sepse prej te dera do fillojnë shumë emisione që do bëhen në lëvizje nëpër shumë atelie, galeri, shtëpi, institucione. ”
Sipas Rizvanit, “Luaj derën” është një përpjekje për të rikthyer vlerën e diskutimit të hapur dhe për të ruajtur kujtesën e ngjarjeve që ndodhin, duke mos i lënë ato të kalojnë në heshtje. Themeluesit shpresojnë të krijojnë një rrjet bashkëpunimesh me institucione arsimore e kulturore, festivale kombëtare e lokale, shtëpi kulture, si dhe individë që realizojnë projekte me ndikim në komunitet.
“Qëllimi ynë është që nga çdo ngjarje e vogël të mbetet diçka me vlerë, qoftë një kujtim i dokumentuar, një reflektim, apo një debat që ndihmon shoqërinë të ecë përpara”, thekson Rizvani.
Me këtë qasje, “Luaj derën” synon të krijojë një identitet të veçantë në hapësirën mediatike: një platformë ku nuk sundojnë vetëm lajmet e shpejta të ditës, por ku vend ka edhe arti, letërsia, muzika, mendimi qytetar dhe kultura në tërësi.
“Plane kemi shumë, dashuria për punën nuk na mungon mua e Fitimit. Ka shumë gjëra që po i mendojmë. Ngadalë duke luajtur derën më shpesh te ne do shikoni hap pas hapi çfarë synojmë të bëjmë me këtë kanal” – thotë ajo.
“Luaj derën” bëhet kështu një metaforë: një derë që nuk mbyllet, por që rri gjithnjë në lëvizje, në pritje për publikun të hapë, të kërkoj dhe të gjejë veten te materialet që ofrojmë. “, përfundon ajo.(INA)