
Bujar Osmani: Me kandidaturën në Çair, Mexhiti përpiqet ta shpëtojë karrierën e tij politike
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kundërkandidatit të tij, duke e akuzuar se përpiqet të rikthehet në Çair për interesa personale dhe jo për vizion zhvillimi.
“Nuk mund të jesh 20 vjet kryetar i një komune pa vizion, pastaj ta braktisësh dhe të shkosh në një tjetër, e më pas të rikthehesh vetëm pse je në rrezik politik. Kjo është fyese”, tha Osmani.
Ai ngriti një sërë pyetjesh që, sipas tij, sot i bëjnë vetë banorët e Çairit:
“Kush e la Çairin në këtë gjendje? Pse e braktise? Pse nuk jeton këtu, ku fëmijët e tu ecin nëpër rrugë me pluhur, shkojnë në shkolla ku u shtrembërohet shtylla kurrizore, ngasin trotinetë dhe përfundojnë në spital për shkak të mungesës së infrastrukturës?”
Osmani e përshkroi gjendjen e rëndë të komunës duke theksuar mungesën e kushteve elementare:
“Nuk ka trotuare të lira, nuk ka shenja komunikacioni, nuk ka vija të bardha nëpër rrugë. Shkoni në Karposh dhe shihni dallimin. Çairi nuk duhet të trajtohet si komunë dytësore, por duhet të ketë kushte të barabarta me qendrën e Shkupit dhe me standardet evropiane.”
Duke folur për pasojat shëndetësore të kësaj neglizhence, ai tha:
“A lahen rrugët me ujë? Nëse një ditë kryetari i komunës nuk del në punë dhe nuk lahet një rrugë, pas disa vitesh disa fëmijë do të përfundojnë me sëmundje kronike.”
Si zgjidhje, Osmani paralajmëroi themelimin e një ndërmarrjeje të re publike për higjienë komunale në Çair:
“Jo si tani me punëtorë sezonalë, që shpesh janë vetëm kontrata fiktive për aktivistë partiakë. Ekzistojnë 720 kontrata fiktive, që kushtojnë 350.000 euro në muaj. Para që mund të shndërrohen në rrugë, parqe, kushte më të mira për jetë.”
Në fund, ai u bëri apel qytetarëve që të mendojnë përtej partive politike dhe të votojnë me përgjegjësi:
“Kur të dilni para kutisë së votimit, ndaluni 5 minuta. Harroni se nga cila parti politike është kandidati. Mendoni për fëmijët tuaj, për jetën tuaj, për atë se kujt ia lini amanet tatimet tuaja. Integriteti është kapitali im më i madh politik. Prej 20 vitesh jam mjek, 20 vjet politikan, pa keqpërdorur asnjë cent. Dhe me këtë kapital moral kërkoj besimin tuaj.” Flaka