
Mërgata pret opozitën shqiptare në Zvicër e Austri- Ziadin Sela: Faleminderit nga zemra
Mërgata shqiptare në Austri dhe Zvicër ka pritur me entuziazëm përfaqësuesit e opozitës shqiptare, respektivisht lidershipin e Aleancës Shqiptare me në krye Ziadin Selën. Takimet e mbajtura në Vjenë dhe Zvicër u shndërruan në mundësi të veçanta për ndarjen e ideve, vizioneve dhe synimeve për të ardhmen e Strugës dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, është takuar me diasporën shqiptare në Vjenë. Ai u shpreh i impresionuar nga energjia dhe pritja e mërgimtarëve.
“Energjia dhe pritja e mërgatës është e jashtëzakonshme. Bashkë po ndajmë ide, vizion dhe shpresë për një Strugë më të mirë, më të zhvilluar dhe më të bashkuar,” deklaroi Sela.
Ndërkohë, kandidati për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi, pas takimeve me mërgatën në Zvicër, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që ka marrë nga bashkatdhetarët.
“Faleminderit nga zemra, mërgimtarë struganë në Zvicër! Më dhatë forcë dhe besim edhe më të madh që të punoj pa u ndalur për një Strugë më të mirë, më të sigurt dhe më të bashkuar. Mbështetja juaj më motivon të jem çdo ditë më pranë qytetit dhe njerëzve tanë,” tha Dalipi.
Takimet e opozitës shqiptare me diasporën në Austri dhe Zvicër vijnë në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale. Flaka