Blerant Ramadani: 4.000 denarë në muaj për çdo nxënës me aftësi të kufizuara
Kandidati për kryetar të Komunës së Sarajit, Blerant Ramadani, ka prezantuar një nga masat e tij më sociale dhe me ndikim të drejtpërdrejtë tek fëmijët dhe familjet e tyre: ofrimin e një mbështetjeje financiare prej 4.000 denarë çdo muaj për çdo nxënës me aftësi të kufizuara që ndjek arsimin fillor në këtë komunë.
“Koha për vepra! Barazia dhe kushtet e denja në arsim nuk mund të mbeten vetëm premtime në letër. Çdo fëmijë ka të drejtë të ndihet i barabartë dhe të ketë përkrahjen e nevojshme për të zhvilluar potencialin e tij,” deklaroi Ramadani, duke theksuar se kjo politikë do të krijojë një standard të ri në mënyrën se si trajtohen fëmijët me nevoja të veçanta në nivel lokal.
Ky hap është i pari i këtij lloji në Komunën e Sarajit dhe synon të lehtësojë barrën financiare të prindërve, si dhe të nxisë një qasje më gjithëpërfshirëse në arsim. Ramadani theksoi se investimi në arsim dhe në kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë është investim për të ardhmen.
“Ne nuk mund të flasim për zhvillim, nëse nuk sigurojmë që edhe ata që kanë më shumë sfida të kenë të njëjtat mundësi. Në mandatin tim, Komuna e Sarajit do të jetë një model i politikave sociale dhe humane,” shtoi ai.
Ky propozim i kandidatit Blerant Ramadani është pritur me interes të madh nga qytetarët, duke e konsideruar si një hap konkret drejt barazisë reale në arsim dhe forcimit të politikave sociale në nivel lokal.