VIDEO/ Momenti kur porta metalike godet për vdekje rojen në Tiranë!
Aksidentet në punë në Shqipëri janë të shumta, dhe u marrin jetë shumë personave.
Kjo ishte tema e emisionit “Inside Story” mbrëmjen e sotme, teksa u sollën raste ekskluzive, si ai i Sherif Doçit, i cili ndërroi jetë në 17 dhjetor të vitit 2017, në Vorë të Tiranës. Një portë doli nga shinat dhe i mori jetën rojes fatkeq, pasi ai mbeti i bllokuar për orë të tëra dhe askush nuk arriti t’i japë ndihmën e parë për ta shpëtuar.
“E përcolla burrin në darkë për në punë edhe iku. Në orën 12 më kanë sjellë burrin në arkivol në shtëpi”, u shpreh Naxhie Doçi, gruaja viktimës.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 17 dhjetorit kur Sherif Doçi u nis për në punë, por nuk u kthye më i gjallë në shtëpi. Ai ishte roje në firmën e servisit të mjeteve të rënda, në lagjen “Dedej” në rrugën dytësore Vorë-Tiranë. Plagët e humbjes mbeten të hapura për familjarët, pasi askush nuk mbajti përgjegjësi për ngjarjen. Prokuroria nuk mori asnjë të pandehur. Hetimet u pushuan duke e cilësuar ngjarjen aksidentale.
Kamerat e sigurisë treguan se i ndjeri qëndroi poshtë portës metalike nga ora 3:48 deri në orën 8 të mëngjesit kur u gjet pa shenja jete nga punëtorët e tjerë të firmës.
Nga ora 03:41:07 deri në orën 03:43:45 punëtori Sherif Doçi ndodhet në kabinën e tij, e pozicionuar në cepin e majtë të pamjeve filmike dhe porta e subjektit Rafaelo 2002 sh.a është e mbyllur plotësisht. Më pas pamjet filmike tregojnë tentativat e të ndjerit për të mbyllur portën elektronikisht dhe më pas mekanikisht përmes një shufre. Çdo veprim i tij është i regjistruar në kamera.
“Nga standardet duhej që dera të mbyllej elektronikisht dhe mekanikisht, nëse nuk mbyllej elektronikisht duhej të mbyllej në mënyrë manual”, u shpreh avokati Suad Idrizi.
Në orën e kamerave 03:48:31, porta del nga rrulat udhëzues dhe bie mbi punëtorin, të ndjerin Sherif Doçi.
“Policia ka kryer disa veprime shume të pakta, shumë të paqarta realisht dhe ky procedim penal nuk është marrë askush i pandehur. Nuk duhej të mbyllej me një vendim pushimi realisht sepse kur vdes një person të mos merret askush i pandehur të paktën një akt ekspertimi duhej të arrihej”, u shpreh avokati, Suad Idrizi.
Në vendngjarje u kryen veprimet e para hetimore, por askush nuk i informoi familjarët e të ndjerit. Prej orësh, ata kishin humbur kontaktet dhe ai nuk po kthehej në banesë sipas rutinës së përditshme.