
Dy vite pa Afrim Bunjakun – heroizmi që nuk vdes, guximi që mbrojti Kosovën
AA
Në përvjetorin e dytë të rënies heroike të policit Afrim Bunjaku, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar me fjalë të ndjera sakrificën dhe guximin e tij në mbrojtje të Republikës së Kosovës. Kurti tha se rënia e Bunjakut i dha shtetit më shumë integritet territorial, sundim të ligjit dhe siguri, ndërsa theksoi se ai do të mbetet përgjithmonë hero i popullit të Kosovës përcjell INA
Dy vjet më parë, Familja Bunjaku e humbi anëtarin e dashur të familjes së saj, Kosova fitoi shumë më tepër integritet territorial, sovranitet shtetëror, sundim të ligjit, paqe e siguri. Rënia heroike e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë: ishte një rënie e cila e ngriti Republikën e Kosovës, shtetin tonë të pavarur së brendshmi, por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtar, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një shtet, që i del zot vetvetes dhe i cili ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim, duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit.
Të gjithë ne bashkë, jemi pjesë e familjes Bunjaku, të bashkëshortes Lumnije, të fëmijëve, Arbenitës, Jetlumit e Fatlumit, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit, që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e veta këtë hero të Kosovës.
Atë ditë, Afrim Bunjaku tregoi guxim të dyfishtë: ai shkoi i pari drejt bllokadës në Banjskë të Zveçanit dhe këtë e bëri si një polic me përvojë, i cili ishte edhe instruktor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, dhe nuk lejoi që policët e tjerë, që ishin më të rinj se ai, t’ia mësyjnë bllokadës që ishte vendosur nga grupi terrorist paramilitar i Serbisë, të udhëhequr nga Radoiçiqi. Pra, si një polic me përvojë, të rinjtë nuk i la që të sakrifikohen, të vetmohohen, të flijohen para tij. Guximi i tij atë ditë u pasua edhe me guximin e Alban Rashitit, i cili mbeti i plagosur por sot është gjallë dhe i fortë në mesin tonë, sikurse edhe shteti i Kosovës, dhe të Mirsad Kryeziut, i cili nën breshërinë e plumbave e nxori trupin e Afrim Bunjakut nga Banjska e Zveçanit.
Ne tash i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët, të organizuar dhe udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje, Aleksandar Vuçiq. Aktakuza e ngritur në Kosovë i përfshinë 45 persona. Këta duhet t’i dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ka panumër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në vrasjen Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist të tyre ndaj shtetit tonë.
Sot, duhet të theksojmë edhe faktin tjetër, që kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim. Aty u vranë tre terroristë, tre terroristë sot janë në burgjet e Kosovës dhe ne dëshirojmë që me ndihmën e akterëve ndërkombëtarë, me ndihmën e shteteve demokratike, që edhe 45 të akuzuarit e tjerë të vihen përballë drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku e kemi edhe EULEX-in, edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare për shkak të pranisë së madhe saj dhe ku padyshim që do të kenë gjykim të drejtë dhe ata do të marrin dënimin meritor.
Afrimi shërbeu në stacionet e policisë në Mitrovicë dhe në Vushtrri; ishte polic 22 vjet, prej të cilave 16 vjet me gradën Rreshter dhe tash e ka gradën Hero i Kosovës – e vetmja gradë, e cila s’i merret dot as atij dhe e as të gjithë të tjerëve të cilët e kanë këtë gradë, sikurse zyrtari tjetër policor i rënë në korrik të vitit 2011, Enver Zymeri.
Lavdi Afrim Bunjakut, të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës dhe dëshmorëve të kombit tonë në përgjithësi!(INA)